PDK për propozimin e LDK-së, çdo iniciativë që synon zgjidhjen e bllokadës duhet ta degjojmë
Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë për, siç tha, të diskutuar zhvillimet e fundit politike, bllokadën institucionale, si dhe propozimet e iniciativat politike aktuale, duke aluduar në propozimin e LDK-së për një qeveri nacionale të tranzicionit.
Çdo iniciativë që synon zgjidhjen e bllokadës, meriton të dëgjohet dhe diskutohet. Gjithashtu, kjo parti tha se derisa vendi ndodhet në një krizë institucionale, për të cilën e bën përgjegjëse Vetëvendosjen, propozoi një takim që do ta thërriste presidentja e vendit me të gjitha partitë politike.
PDK tha se vlerëson se vendi ndodhet në një krizë të thellë institucionale, si pasojë e sjelljes së papërgjegjshme politike të koalicionit që ka dalë i pari në zgjedhje, por i cili në mungesë të shumicës parlamentare po vazhdon ta mbajë peng Kosovën.
“Në këtë situatë, çdo iniciativë që synon zgjidhjen e bllokadës, meriton të dëgjohet dhe diskutohet.
Në këtë frymë, konsiderojmë se Presidentja e Republikës, si institucion mbi-partiak dhe me mandat legjitim, mund të ndërmarrë hapat e nevojshëm për thirrjen e një takimi me të gjitha subjektet politike parlamentare. Një tryezë gjithëpërfshirëse, mund të jetë hapi i duhur për gjetjen e rrugëdaljes nga kriza institucionale”.
Për këtë arsye që nga përfundimi i zgjedhjeve të 9 shkurtit, Partia Demokratike e Kosovës tha se ka zhvilluar takime me të gjitha partitë politike parlamentare – përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje, ndonëse e konsiderojmë atë përgjegjëse kryesore për krizën aktuale.

