PD: Gjykatës politikë po dënojnë aktivistët e opozitës

Anëtari i kryesisë së Partia Demokratike, Mariglend Doçi tha sot se mbi 20 aktivistë e mbështetës të PD-së janë dënuar nga “gjykatës politikë”.
Doçi tha se dënimi i tyre përdoret për të intimiduar aktivistët e Partisë Demokratike që të mos marrin pjesë në aktivitetet e PD.
“Ditët e fundit, në mënyrë mafioze, shume prej aktivisteve dhe protestueseve të mosbindjes civile të Partisë Demokratike dhe opozitës, po përballen me dënime 6 mujore, te konvertuara ne 1 vit “shërbim prove”. Kjo, edhe pse çështjet kundër tyre janë pushuar njëherë ne vitin 2020”, tha Doçi.
Sipas Doçit “bëhet fjalë për gjyqe të hapura në vitin 2022, fill pas lëvizjes se Foltores, ku aktivistëve të opozitës iu hapën gjyqe, me akuza të paqena”.
“Sistemi i drejtësisë së re, që e ka pultin e regjisë në Kryeministri, i vazhdoi në heshtje dhe nën rrogoz këto gjyqe dhe përndjekje me ‘avokatë kryesisht’, deri ne vitin 2024. Kohë kur gjykata doli nga letargjia dhe, në prag të zgjedhjeve parlamentare, mori vendim të “formës së prerë” për mbi 20 aktiviste e mbështetës të Partisë Demokratike!”, tha Doçi.
Ai u kërkoi dhe “organizatave te monitorimit ndërkombëtar të shënojnë dhe të reagojnë për këtë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë”.
Doçi theksoi se “Partia Demokratike nuk i braktis mbështetësit e kauzave për një atdhe me drejtësi të ndershme dhe për një Shqipëri Madhështore. Lufta për mbrojtjen e opozitarizmit dhe shpëtimin e Shqipërisë, ka nisur me Foltoren dhe do të përfundojë me fitoren më 11 maj!”.