Pas universitetit, talebanët u ndalojnë femrave të punojnë në organizata joqeveritare
Liritë e grave në Afghanistan janë zvogëluar edhe më shumë, pasi talebanët u ndaluan të punojnë nëpër organizata jo-qeveritare (OJQ).
Udhëheqësit islamistë thanë se të punësuaret nëpër OJQ kanë shkelur ligjin Sharia duke mos mbajtur hixhabin.
Ky vendim i talebanëve u mor disa ditë pasi femrave iu ndalua edhe shkollimi sekondar në universitete.
Një nga gratë për BBC tha se ajo mban shtëpinë dhe nëse nuk mund të shkojë në punë, atëherë kush do ta ndihmojë familjen e saj.
“Ky lajm është shokues dhe jam konfuze se çka do të ndodhë me jetën time”, tha një tjetër grua, e cila insistoi se po i përmbahet kodit të veshjes taleban.
“Bota po na sheh dhe s’po bën asgjë”, thotë një e intervistuar tjetër, ku për shkak të mbrojtjes së tyre, BBC nuk i bëri publik emrat e të intervistuarve, përcjell Klankosova.tv.
Kombet e Bashkuara dhe disa vende e kanë dënuar vendimin, i cili e kthen Afghanistanin në periudhën e parë të sundimit të talebanëve, kur vajzat nuk mund të merrnin arsim formal.
Raportuesi Special i OKB-së për Afghanistanin tha se ishte “një nivel i ri që shkel më tej të drejtën për edukim të barabartë dhe thellon fshirjen e grave nga shoqëria afgane”.
Shtetet e Bashkuara thanë se një veprim i tillë “do të vinte me pasoja për talebanët”.
“Talebanët nuk mund të presin që të jenë anëtar legjitim i komunitetit ndërkombëtar derisa të respektojnë të drejtat e të gjithëve në Afghanistan. Asnjë vend nuk mund të lulëzojë kur gjysma e popullsisë së tij është frenuar”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në një deklaratë.