Parlamenti Evropian do të debatojë për Raportin për progresin e Maqedonisë së Veriut

Shkup, 18 maj – Parlamenti Evropian sot do të debatojë për Raportin e eurodeputetit Ilhan Quçuk për progresin e vendit, në të cilin BE-ja thirret që t’i vlerësojë implikimet e rëndësishme historike të sigurisë për stabilitetin dhe unitetin e kontinentit evropian dhe të Ballkanit Perëndimor për shkak të sulmit rus ndaj Ukrainës.

Në dokument u bëhet “thirrje urgjente” vendeve të BE-së që të tregojnë unitet me hapjen formale të bisedimeve për anëtarësim me Shkupin dhe Tiranën, duke i marrë parasysh implikimet gjeopolitike dhe përmbushjen e kërkesave zyrtare, siç janë investimet në besim, stabilitet, progres dhe pajtim në rajon, ndërsa vërehen edhe rreziqet nga varësia e rritur e ekonomisë dhe varësia energjetike e gjithë rajonit nga Kina dhe Rusia.

Pritet që Parlamenti Evropian ta përshëndesë procesin e përforcimit të marrëdhënieve të Maqedonisë së Veriut me vendet fqinje dhe bashkëpunimin e përforcuar rajonal të përmbajtur në Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim me Bullgarinë. Pritet që eurodeputetët t’u bëjnë thirrje të gjitha vendeve që të vazhdojnë të kenë dialog konstruktiv që të sigurohet zbatim i plotë, dinjitoz dhe i vetëdijshëm i dy dokumenteve, duke u përmbajtur nga veprime të cilat do të mund ta minojnë qasjen në BE dhe interesat më të gjera evropiane ndërsa Komisioni Evropian t’i përforcojë përpjekjet e tij që ta lehtësojë dialogun dhe në atë mënyrë ta hapë rrugën për marrëveshje të qëndrueshme.

Raporti shpreh mbështetje për Shkupin dhe Sofjen që të gjejnë zgjidhje të ndërsjellë të pranueshme për çështjet e hapura bilaterale dhe fuqishëm e përshëndet nxitjen politike për komunikim të gjerë, konstruktiv mes të dyja vendeve, duke kërkuar bazë të re të përbashkët në shumë sfera me interes të ndërsjellë në vend të linjave plotësuese të ndarjes.

“Partnerët inkurajohen që ta përshpejtojnë këtë angazhim me vullnet të mirë dhe në përputhje me marrëveshjen dypalëshe dhe t’i fillojnë bisedimet për anëtarësim, sinqerisht duke u angazhuar që të arrijnë zgjidhje të ndërsjella të balancuara dhe të përhershme për çështjet e hapura bilaterale sa më shpejtë që është e mundur”, shtohet në dokument.

Në Raport kërkohet vazhdimi i punës së librave të historisë për shkollat në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut dhe shënohet “rëndësia nga mbrojtja e të drejtave të të gjitha bashkësive dhe luftë efikase kundër të gjitha rasteve të diskriminimit” dhe rekomandon “Qeveria në Shkup të sigurojë mbrojtje të barabartë kushtetuese të të drejtave të të gjitha bashkësive etnike dhe ta mbrojë trashëgiminë e tyre kulturore, gjuhët dhe traditat nëpërmjet qasjes së barabartë, gjithëpërfshirëse dhe jodiskriminuese në arsim dhe media.

Me dokumentin thirren autoritetet në Maqedoninë e Veriut që t’i pengojnë dhe t’i ndjekin të gjitha akuzat për armiqësi dhe urrejtje, krime nga urrejtja dhe frikësim, të hetojnë sulme në raste të tilla dhe të sigurojnë mbrojtje të atyre kundër të cilëve janë drejtuar.