Papa Leone XIV apel presidentëve Zelensky dhe Herzog: Ka një nevojë urgjente për paqe

Vatikan, 3 prill, medial.mk/ – Papa Leone XIV zhvilloi sot biseda telefonike me presidentin izraelit, Isaac Herzog dhe atë ukrainas, Volodymyr Zelensky duke theksuar sërish nevojën urgjente për paqe, vetëm dy ditë para festës së Pashkës, njoftoi Vatikani.

Gjatë bisedës me Herzog, papa Leone theksoi rëndësinë e mbrojtjes së civilëve dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe humanitare.

Ai gjithashtu kërkoi rihapjen e kanaleve diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë, në një bisedë të përshkruar si shumë miqësore me Zelenskyn, papa shprehu urimet për Pashkën dhe solidaritetin me popullin ukrainas, ndërsa u diskutuan edhe përpjekjet për nisma humanitare, përfshirë lirimin e të burgosurve.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, Vatikani ka luajtur një rol të kujdesshëm ndërmjetësimi, duke ndihmuar veçanërisht në shkëmbimet e të burgosurve përmes kanaleve diplomatike.

Më herët këtë javë, papa Leone XIV kishte shprehur shpresën që Donald Trump do të kërkonte një zgjidhje për luftën në Lindjen e Mesme dhe u kishte bërë thirrje liderëve botërorë të riktheheshin në tryezën e negociatave.

Leave a Reply