Palestinezët e ndërpresin bashkëpunimin e sigurisë me Izraelin
Pas një sulmi ushtarak izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar në të cilin u vranë nëntë palestinezë, Autoritetet palestineze njoftuan sot se do t’i japin fund bashkëpunimit të sigurisë me Izraelin.
Të dyja palët kanë mbajtur lidhje sigurie në një përpjekje të përbashkët për t’iu kundërvënë ekstremistëve islamikë dhe ndërprerja e lidhjeve të tilla ka nxitur frikën se sulmet nga organizatat ekstremiste mund të mos jenë në gjendje të parandalohen.
Drejtoria palestineze është përpjekur të ndërpresë lidhjet në shenjë proteste më parë, por me pak sukses, pasi udhëheqsia palestineze përfiton nga lidhje të tilla dhe është nën presionin e SHBA-së dhe Izraelit për t’i mbajtur ato.
Zëdhënësi i Drejtorisë Palestineze, Nabil Abu Rudejne, në një konferencë për shtyp në Ramalla, njoftoi vendimin për ndërprerjen e lidhjeve pas operacionit më vdekjeprurës ushtarak izraelit në Bregun Perëndimor në dy dekadat e fundit.
Nëntë palestinezë, duke përfshirë një grua të moshuar, u vranë gjatë një bastisjeje në Xhenin, në Bregun Perëndimor të pushtuar, dhe një djalë tjetër palestinez u vra në një incident të veçantë.
Një përshkallëzim i tillë i dhunës rrit rrezikun e një konflikti të madh midis dy kombeve dhe përfaqëson një provë për qeverinë e re izraelite të krahut të djathtë të kryeministrit Benjamin Netanjahu.
Mediat amerikane, nga ana tjetër, bëjnë të ditur se incidenti i fundit hedh hije mbi vizitën e radhës në rajon të shefit të diplomacisë amerikane, sekretarit të shtetit Entoni Blinken, që duhet të ndodhë javën e ardhshme.

