Orë policore në Peru pas serisë së protestave të dhunshme
Pas protestave të dhunshme në rajonin Puno në pjesën juglindore të Perusë në të cilat humbën jetën të paktën 17 persona, autoritetet shpallën orë policore. Kryeministri peruan, Albert Otarolli njoftoi se ora policore prej orës 20:00 deri në orën 4:00 sipas kohës lokale do të jetë në fuqi tri ditët e ardhshme.
Më shumë se 68 persona janë lënduar në qytetin Huliaka, vendin e përleshjes së fundit dhe një prej më të rëndave mes policisë dhe mbështetësve të ish-presidentit, Pedro Kastilo, i cili muajin e kaluar ishte arrestuar për shkak të përpjekjes për shpërbërjen e Kongresit.
Mbështetësit e ish presidentit kërkojnë që presidentja e re e shtetit, Dina Boluarte, të japë dorëheqje dhe të shpallen zgjedhje të parakohshme.
Peruja me vite të tëra është në trazira politike, ndërsa kriza e fundit erdhi pasi Kastilo dhjetorin e kaluar publikoi se e shpërbën Kongresin dhe shpall gjendje të jashtëzakonshme, por Kongresi me shumicë të madhe votoi për fajësimin e tij. Kastilo për momentin është në paraburgim nën akuzën për kryengritje dhe komplot.