“Open Ballkan”, krimi dhe korrupsioni, ikja e shqiptarëve dhe takimi i liderëve

ABDUSH DEMIRI

Historia u përsëritet atyre që e harrojnë atë.

Siç duket neve shqiptarëve të mbetur në trojet e tyre po na servohet nga udhëheqësit e qeverive ideja e integrimit brenda ballkanik me popuj tjerë kryesisht sllav ndërkohë që institucionet nuk kanë as vëmendjen më të vogël për integrimin kombëtar dhe integrimin në BE. Kjo ide e inicuar nga Vuçiç (ish ministër i pushtetit vrastar sërb) dhe Rama u përqafua edhe nga Ali Ahmeti dhe Artan Grubi si përfaqësues i tij në ekzekutiv.

Ndërkohë që po na flasin me shumë entuziazëm për integrime, çdo ditë plasin skandalet e krimit dhe korrupsionit të ndërlidhur me funksionar të lartë të qeverive përkatëse. Me qeverisjen e këtillë korruptive disavjeçare shkatërruan gjithçka që kishte vlerë dhe u’a bënë të pamundur jetesën shqiptarëve në trojet e tyre duke i detyruar që të kërkojnë jetë më të mirë në perëndim. Shqiptarët nuk kanë nevojë për takim liderësh vetëm sa për të bërë foto, pa agjendë dhe temë bisedimi ngase problemet me të cilët ballafaqohen i kanë të mëdha. Shqiptarët kanë nevojë që përfaqësuesit qeveritar të jenë të përgjegjshëm dhe të japin llogari për atë se çfarë është bërë dhe çfarë nuk është bërë.

Asgjë nga përdorimi i gjuhës shqipe dhe barazia ekonomike.

Në vitin 2017 si subjekt politik i ri në skenën politike Lëvizja BESA me shumë dëshirë dhe vullnet priti iniciativën e nënshkrimit të deklaratës së partive politike shqiptare dhe pahamendje e nënshkroi atë. Shumë pak nga ajo që morrën përgjegjësi u realizua, dhe nga kjo përspektivë kohore mund lirisht të konstatohet që e gjithë ajo ishte një skenar për të shpëtuar BDI dhe Ali Ahmetin. E njëta si duket po ndodhë edhe tani, për herë të dytë po bëhet përpjekje që të shpëtohet dhe amnistohet Ali Ahmeti dhe BDI.

Jo faleminderit, ne sjemi që t’i shërbejmë kësaj iniciative, ngase konsiderojmë se pikërisht BDI është fajtore për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve të Maqedonisë. Andaj Lëvizja BESA do të vazhdoj betejën e saj politike bashkë me popullin dhe diasporën për të eliminuar të keqen nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.