OBSH: Epidemia e Ebolës në Ugandë u zhvillua me shpejtësi
Epidemia e Ebolës në Ugandë është zhvilluar me shpejtësi gjatë muajit që kur sëmundja u zbulua në këtë vend të Afrikës Lindore, deklaroi sot drejtori rajonal i Agjencisë Shëndetësore të KB-së për Afrikë, Matshidiso Moeti.
“Ministria e Shëndetësisë e Ugandës ka demonstruar qëndrueshmëri dhe efektivitet të jashtëzakonshëm dhe po përshtat vazhdimisht përgjigjen e saj ndaj situatës sfiduese. Një kuptim më i mirë i zinxhirëve të transmetimit të sëmundjeve i ndihmon ata që janë në terren të përgjigjen në mënyrë më efektive,” tha Moeti.
Uganda shpalli epidemi të Ebolës më 20 shtator, disa ditë pasi sëmundja infektive filloi të përhapet në një komunitet bujqësor rural.
Që atëherë, 64 persona janë infektuar me Ebola dhe 24 kanë vdekur si pasojë e sëmundjes, megjithëse shifrat zyrtare nuk përfshijnë personat që me shumë gjasa kanë vdekur nga Ebola përpara se të shpallej epidemia.
Frika se Ebola mund të përhapet larg nga epiqendra e epidemisë ka bërë që autoritetet të vendosin karantinë, si dhe orë policore, në dy nga pesë qarqet që kanë raportuar raste të Ebolës.
Ebola përhapet përmes kontaktit me lëngjet trupore ose materiale të kontaminuara të një personi të infektuar. Simptomat përfshijnë ethe, të vjella, diarre, dhimbje muskujsh dhe ndonjëherë gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme.

