Numri i të vdekurve në sulmin me bombë në Peshevar ka arritur në 44, shumë prej të plagosurve në gjendje kritike

 Numri i të vdekurve në sulmin e sotëm me bombë ndaj një xhamie në kompleksin policor në qytetin pakistanez Peshevar u rrit në të paktën 44, njoftuan zyrtarët, duke shtuar se më shumë se 150 persona janë plagosur.

Sulmin i cili është një prej më vdekjeprurësve kundër forcave pakistaneze të sigurisë gjatë viteve të fundit, e kreu një vetëvrasës me bombë, me çka nga shpërthimi është rrëzuar kulmi i xhamisë mbi besimtarët, prej të cilëve shumica janë policë.

Në momentin e sulmit në xhami ka pasur rreth 300 besimtarë. Autoritetet shëndetësore lokale njoftuan se shumë nga të plagosurit janë në gjendje kritike, që domethënë se numri i viktimave nuk është përfundimtar.

Një nëpunës i policisë sqaroi se sulmuesi hodhi veten në ajër derisa ishte në mesin e besimtarëve. Nuk është e qartë se si sulmuesi arriti të hyjë në kompleksin e ndërtuar me mure në të cilin gjendet selia e policisë – e gjithë kjo në zonë me siguri të lartë, e cila përfshin edhe objekte të tjera të pushtetit qendror.

Sarbakaf Mohmand, një nga komandantët e talebanëve pakistanezë, e mori përgjegjësinë për sulmin përmes një publikimi në Tuiter, por zëdhënësi kryesor i grupit të armatosur ende nuk është deklaruar në lidhje me incidentin.