Nesër premierë e shfaqes “Lojëra në oborrin e pasmë” në IN Teatrin shqiptar për fëmijë dhe të rinj

Shkup, 5 gusht – IN Teatri shqiptar për fëmijë dhe të rinj-Shkup nesër në ora 20 do ta realizojë Premierën e parë të shfaqjes për të rinj (+16) e titulluar “Lojëra në oborrin e pasmë” nga autorja Edna Mazia, të shqipëruar nga Artur Lena dhe në regji të Agon Myftarit, scenografi e Simona Dimkovskas dhe kostumografi e Ines Goljas.

Kjo dramë është realizuar në bazë të ngjarjes së vërtetë, e cila ka ndodhur viteve të 1988-91 në qytetin Kibuts të Izraelit në një kënd të lojërave dhe ka bërë bujë të madhe asokohe.

Në këtë dramë trajtohet dukuria e ngacmimeve seksuale, fatkeqësisht si një dukuri e cila akoma është prezente në rajon dhe më gjërë.

Rolet i luajnë: Dea Pajaziti – Dvori Mehnes dhe Prokurore, Mumin Abdullahi – Asaf Saharov dhe Avokat, Gëzim Zherka – Sela Bohorov dhe Avokat, Eldin Shiroki – Gidi Becer dhe Avokat, Flakron Aliu – Shmulik Kuper dhe Avokat dhe Besfort Idrizi – Avokat.