Në shtëpinë e Bidenit gjenden edhe gjashtë dokumente të klasifikuara

Hetuesit e Ministrisë së Drejtësisë së SHBA-së kanë gjetur edhe gjashtë dokumente të tjera të klasifikuara në shtëpinë e presidentit amerikan, Xho Biden në Vilmington.

“Disa nga dokumentet janë nga koha e mandatit të Bajdenit në Senat nga viti 1973 deri 2009, ndërsa të tjerat janë nga koha kur ai ishte nënpresident i Barak Obamës”, deklaroi avokati Bob Bauer.

“Vetë presidenti i ka ofruar Ministrisë së Drejtësisë kontroll të të gjitha hapësirave në shtëpinë e tij në Delaver, tha ai.

As Bajdeni dhe as bashkëshortja e tij, Xhill, nuk kanë qenë prezent gjatë bastisjes.

“Bastisja pason pas zbulimit në nëntor dhe dhjetor edhe të disa dokumenteve të fshehta në shtëpinë e Bajdenit në Vilmington dhe zyrën e tij private që ai kishte në Uashington pas përfundimit të mandatit të tij si nënpresident.

Ato dokumente u gjetën dhe ju dorëzuan autoriteteve nga avokatët e Bajdenit.

Nga presidentët dhe nënpresidentët amerikan kërkohet t’i kthejnë dokumentet qeveritare në arkivat kombëtare pas përfundimit të mandatit të tyre.

Në fillim të këtij muaji, Prokurori i përgjithshëm Merik Garland emëroi këshilltarin special Robert Hur të hetojë mbajtjen e dokumenteve të Bajdenit pas përfundimit të mandatit si nënpresident.

Bauer tha se kontrolli në shtëpinë e Bajdenit është ofruar për të “çuar hetimin përpara sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ish presidenti Donald Tramp i cili mori qindra dokumente të klasifikuara nga Shtëpia e Bardhë në rezidencën e tij në Florida është nën hetim të veçantë.