Në SHBA janë mbajtur rusë nga Çukotka të cilët kanë ikur nga mobilizimi
Dy banorë të Çukotskës nga Lindja e largët ruse të cilët ikën nga mobilizimi janë mbajtur në ishullin amerikan Shën Laurenti, kumtoi sot portali “Alaska njus sors”.
Sipas portalit, rusët janë ankoruar në ishull më 4 tetor, Banorëve lokalë ata u thanë se kanë lundruar nga vendbanimi Egvakinot i Çukotskës, në distancë prej rreth 500 kilometrave rrugë detare.
Ata janë mbajtur dhe dërguar në qytetin Hembel të ishullit, e më pas janë transportuar në Ankorixh, qyteti më i madh në Alaskë.
Autoritetet federale tani po konfirmojnë nëse rusët e kanë shkelur rregullën për kalim të kufijve të SHBA-së dhe nëse kanë të drejtë të qëndrojnë në vend. Guvernatori i Alaskës, Majk Danlivi deklaroi se ky është rasti i vetëm i kalimit ilegal të kufirit detar mes Rusisë dhe SHBA-së dhe se nuk pret valë të përhershme të emigrantëve nga Rusia.
Kumtohet se rusët kanë kërkuar azil politik në SHBA. Senatori Den Salivan deklaroi se incidenti tregon se “populli rus nuk dëshiron ta zhvillojë luftën putiniane të agresionit kundër Ukrainës”. Gjithashtu ai u bëri thirrje autoriteteve federale të përpunojnë plan në rast se rritet numri i rusëve të cilët tentojnë të vijnë në territorin e Alaskës.
Sipas edicionit të Forbs-it, prej fillimit të mobilizimit ushtarak nga Rusia deri më tani janë larguar mbi 700.000 rusë.

