Në Kuvend debat për Propozim ligjin për ndryshim të Ligjit për mbrojtje të fëmijëve

Shkup, 4 maj – Deputetët debatojnë për Propozim ligjin për ndryshim të Ligjit për mbrojtje të fëmijëve në procedurë të shkurtuar e cila harmanizohet me Ligjin për pagën minimale ose rritet pika e përkëdhelesve me qëllim të respektohet minimumi ligjor prej 18 mijë denarë.

Opozita ka paralajmëruar se do të mbështesë të gjitha zgjidhjet ligjore që kanë të bëjnë me rritjen e pagave dhe përmirësimin e të drejtave të të punësuarve dhe ka theksuar se nevojitet rritje graduale pas rritjes së asaj minimale. Deputetët e shumicës qeveritare kanë thënë se pushteti mbetet i përkushtuar në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve dhe se rritja e pagave do të vazhdojë.

Deputetja e VMRO-DPMNE-së Angelinka Petkova ka thënë se pagat rriten minimalisht lidhur me çmimet që janë rritur deri në 100 për qind. Ajo ka thënë se nevojitet rritje graduale e të gjitha pagave.

Ajo mes tjerash ka thënë se grupi i tyre parlamentar ka iniciuar amendament për rritjen e pagave për 18 për qind, por kjo nuk është pranuar nga shumica.

Bashkëpartiakja e saj, Olga Lozanovska ka folur se me rritjen e pagës minimale tani ka shtatë kategori të punësuarish në kopshte që marrin paga, ndërsa ka përgjegjësi të ndryshme.

Deputeti nga radhët e LSDM-së, Nenad Kociq në replikën deri te Lozanovska ka thënë se kur VMRO-DPMNE ka qenë në pushtet aspak nuk ka rritur pagat në kopshte dhe shkolla.

Ndërkaq, deputetja nga LSDM Sanela Shkrijel ka thënë se do të ketë rritje edhe të pagave tjera në kopshte dhe shkolla, ndërsa për momentin bisedohet për shumën, dinamikën dhe metodologjinë.

“Oferta e qeverisë është rritje prej 12 për qind të pagave. Deri tani nuk ka pasur aq rritje të madhe të pagave, ndërsa paralelisht debatohet për marrëveshje të re kolektive”, tha Shkrijel.

Nënkryetari i Kuvendit, Goran Misovski dha pauzë deri në orën 15:30 me çka deputetët duhet të vazhdojnë debatin mbi Propozim ligjin për ndryshim të Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve.