Në kërkim prej më shumë se 1 vit e gjysmë, arrestohet 30-vjeçari në Fier

Policia e Shtetit ka përmbyllur sot një operacion për kapjen e një personi të shpallur në kërkim në Fier.

Sipas njoftimit të policisë, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë policore, në bashkëpunim dhe me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Policinë e Fierit, u arrestua shtetasi i shpallur në kërkim Besmir Sopi, 30 vjeç, banues në Zhupan, Fier.

“Ky shtetas, pasi ka parë forcat e policisë, ka tentuar të largohet duke u fshehur në një zonë me bimësi të dendur, por është kapur dhe ndaluar nga shërbimet e Policisë”, thuhet në njoftim.

Policia ka shpërndarë edhe pamje nga arrestimi i 30-vjeçarit.

Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 12.04.2021, e ka dënuar këtë shtetas me 3 vjet e 2 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Në datën 29 shtator 2020, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, në Zhupan, Policia gjeti dhe sekuestroi 3 kg cannabis sativa, gati për shitje.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.