Në hirin e betejave identitare gjithmonë mbesin thëngjij të pashuar
Jemi me fat që jetojmë në epokën e Nënës Terezë, sepse ajo nuk e shikoi botën nga prizmi i egoizmave dhe shpirtngushtësive. Destinacioni që duam të arrijmë është e përbashkëta e virtyteve që kanë kombet për të luftuar të keqen në mesin e vet dhe për të sakrifikuar nganjëherë lakminë personale për të mirën e përgjithshme.
Shkruan Prof.dr. Skender ASANI
Në hirin e betejave identitare, gjithmonë mbesin thëngjij të pashuar. Kështu ndodhi edhe me bredhin e shkatërruar të Nënës Terezë, e cila atëherë kur e kishte mbjellur me dorë të vetë, gjatë vizitës së saj të fundit në Shkup, në vitin 1980, as që i kishte shkuar ndër mend se kjo trashëgimi e saj do të përfundojë në ndonjë kontejner të Bashkisë së Qytetit të Shkupit. Por, nga bredhi i shkatërruar kishin mbetur boçat me fara, të cilat do të rilindin si feniksi.
Në mitologjinë e lashtë, simbolika e zogut madhështor Feniks, që lidhet më së shpeshti me Diellin, vdes dhe ringjallet nëpër kultura të ndryshme, dhe gjatë gjithë kohës. Legjenda e lashtë, përshkruan pamjen e një zogu magjik të ndritshëm dhe vezullues, që jeton qindra vjet para se të vdesë, duke shpërthyer në flakë. Pastaj rilind nga hiri, për të nisur një jetë të re dhe të gjatë. Kaq e fuqishme është kjo simbolikë, sa që është një motiv dhe imazh, që sot përdoret shpesh në kulturën dhe folklorin popullor. Feniksi legjendar është një zog i madh, shumë i ngjashëm me një shqiponjë që fluturon pa ndërprerë dhe monitoron hapësirën.
Një ditë atij do t’i kapë syri edhe një park të dendur në Tiranë, por edhe në Prishtinë e Shkup, sepse edhe historia e një pylli ka filluar nga një dru i vetëm. Kështu do të ndodhë edhe me një park që do të lind mu në zemër të Tiranës.
Ditë më parë nga Shkupi në Tiranë udhëtuan 25 boça nga bredhi i shkatërruar i Nënës Terezë. Me këtë rast drejtoresha e Agjensisë Kombëtare të Parqeve dhe Rekreacionit të Shqipërisë, Erinda Fino, shprehu falënderimin e saj të sinqertë për këtë nismë fisnike që pritet të finalizohet më 18 tetor, ditën e Lumturimit të Nënës Tereze. Bëhet fjalë për mbjelljen e 25 fidaneve nga farat që mbetën nga bredhi i shkatërruar i Nënës Terezë në Shkup.
Ngjashëm, do të veprohet edhe në Prishtinë, ku gjithashtu do të mbillen 25 bredha, në shenjë të ripërtëritjes së trashëgimisë së Nënës Terezë.
Jo vetëm si simbolikë që lidhet me 25 vjetorin e vdekjes së Nënës Terezë, por edhe si ide që përtërinë trashëgiminë e nobelistes shqiptare përmes një parku që do të lind mu në zemër të Tiranës, ky aksion i përbashkët i ITSHKSH dhe AKPR do të shënojë fillimin e një bashkëpunimi brendakombëtar për të përtëri farat e trashëgimisë kulturore e shpirtërore të shqiptarëve në Ballkan.
Thellimi i bashkëpunimit me Tiranën po zhvillohet në prag të mbajtjes së manifestimit tradicional kulturor e shkencor “Drita e Gonxhes” që mbahet nga 26 gushtë-5 shtator, me ç’ rast edhe Agjencia Kombëtare e Parqeve dhe Rekreacionit e Shqipërisë do të përfshihet në aktivitetet e përbashkëta të këtij manifestimi.
Ky bashkëpunim po ndodhë edhe në një kontekst të volitshëm evropian në të cilin po përfshihen vendet tona, sidomos pas marrjes së datave për fillim të negociatave me BE-në. Duke e kthyer këtë kontekst në favor të urave bashkëpunuese që do të ngrihen, ITSHKSH dhe institucionet partnere do të shpijnë përpara agjendat dhe projektet që pritet të realizohen në të ardhmen.
Feniksi i rilindur ndjek misionin e Nënës Terezë e cila na mëson që pas çdo fatkeqësie të dalim më të fortë, pas çdo dëshpërimi të bëhemi më të motivuar. Edhe bota shqiptare, e ndodhur në rubikonin e dridhjeve tektonike gjeopolitike, po mundohet të ruaj statusin e kombit përparimtar, me vlera perëndimore që integrimin e brendshëm kulturor e shpirtëror po e bën duke përtëri farat e trashëgimisë kulturore e shpirtërore të shqiptarëve në Ballkan.
Aksioni për të mbjellur 25 fidane nga farat e bredhit të shkatërruar të Nënës Terezë në Shkup, përmbledhë në vete fuqinë e simbolikës së një Feniksi i cili përfaqëson idenë se fundi është vetëm fillimi. Ashtu si ky mit i fuqishëm që do të rilindë pa pushim në legjendën dhe imagjinatën njerëzore, edhe bredhat e Nënës Terezë do të injektojnë në zemrat e njerëzve dashurinë dhe paqen. Sepse më mirë se në një park të mbjellë nga farat e bredhit të shkatërruar të Nënë Terezë, askund tjetër nuk do të ketë freski për të gjithë ata që kanë nevojë të qetësojnë shpirtin dhe mendjen pas një dite të lodhshme e të zhurmshme.
Të mos kesh frikë nga dështimi, do të thotë të shmangni zhgënjimin. Kjo është përafërsisht filozofia jetësore e Nënës Terezë, të cilën po mundohemi ta shndërrojmë në aksiomë veprimi , kurse kauzat tona civilizuese të mundohemi t’i bëjmë sa më gjithëpërfshirëse, pa konturat e ndarjeve etnike, gjuhësor, religjioze…
Sikur një diell që ngroh gjithë njerëzit, ashtu është edhe fuqia e ideve fisnike, të cilat hapin rrugë e shtigje edhe aty ku mendja e njeriut nganjëherë dorëzohet para misterit që sjell e panjohura. Por, kur para vetes ke një shtegtare si Nënë Tereza, atëherë çdo situatë e komplikuar shndërrohet në një udhë të çelur që të shpie në destinaconin e dëshiruar.
Jemi me fat që jetojmë në epokën e Nënës Terezë, sepse ajo nuk e shikoi botën nga prizmi i egoizmave dhe shpirtngushtësive.
Destinacioni që duam të arrijmë është e përbashkëta e virtyteve që kanë kombet për të luftuar të keqen në mesin e vet dhe për të sakrifikuar nganjëherë lakminë personale për të mirën e përgjithshme.

