Në fund të muajit Xhaferi bëhet kryeministër, ndryshime në qeverinë teknike dhe shumë risi tjera në politikë

Shkup, 1 janar – Në fund të muajt Janar, Talat Xhaferi do të merr timonin e qeverisë në cilësinë e kryeministrit teknik. Xhaferi do të jetë kryeministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut nga 28 janari i vitit të ardhshëm deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Talati më 28 Janar votohet nga parlamenti i Maqedonisë së Veriut për kryeministër që do të drejtojë qeverinë deri në zgjedhjet e ardhshme”, kumtoi së fundmi në emisonin Opinion në Tv Klan, lideri integrist, Ali Ahmeti.
I ftuar në studio, Ahmeti bëri me dije se kryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut do të jetë komandant Talat Xhaferi, i cili është ndërkohë kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut.
Nga mesi i janarit duhet të fillojnë procedurat për zgjedhjen e Qeverisë teknike, e cila duhet të punojë në realizimin e zgjedhjeve të ardhshme që do të mbahen më 8 maj.
Më saktë do të dihet me siguri deri më 9 janar kur do të mbahet koordinimi i parë me grupet e deputetëve në vitin 2024. Sipas tij, deri më 20 janar do të përzgjidhet kryetari i ri i Kuvendit.
Kësaj radhe dorëheqje nuk duhet të japë vetëm kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, me atë që në dorëheqje do të jetë edhe gjithë Qeveria, por edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili është propozuar për kryeministër teknik nga partia e tij amë, BDI.
Para se të bëhet zyrtarisht mandatar, Xhaferit në seancë të veçantë duhet t’i konstatohet dorëheqja, e pastaj të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit, Jovan Mitreski, siç është propozuar nga LSDM-ja.
Gjithashtu do të duhet të plotësohet edhe vendi i deputetit të Xhaferit nga lista e BDI-së në Njësinë zgjedhore 5.