“Në 11 maj fundi i “bufit”, Rama: SPAK nuk e solli Amerika, PS garanci për funksionimin e tij

Zgjedhjet e 11 majit janë vendimtare për ecurinë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, kështu deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë një komunikimi me komentuesit online në rubrikën “Sy m’sy”,

“BE nuk i hap derë askujt që nuk është gati për të kapërcyer pragun. Ne kemi hapur disa dyer dhe dy dyer të reja vetëm në fund të janarit e fillim shkurtit. Kemi marrë letrën e do të hapen në mars e prill. Një fotografi me të cilën zgjohem e fle. Fotografia ku Albania të shkruhet në tryezën e Këshillit Europian. Ku të ulemi për të mos u ngritur më. E të them misioni u përmbush”, tha Rama.

I ashpër u tregua Rama me opozitën duke paralajmëruar fundin e saj ne zgjedhje.

”11 maji do jetë fundi i fundit të historisë së një kënete me një buf që ka marrë peng opozitën shqiptare dhe i rri si një hije e mallkimit prej 1912 Shqipërisë mbi kokë”, shtoi kryeministri.

Një qytetar pyeti se përse nuk arrestohej lideri demokrat, Sali Berisha.

“Fatos Nano e futi në burg ish kryeministri, bufi i kënetës e futi në burg vetë. Kjo ka marrë fund. Këto historitë mos ia thoni vetes. Këtu është çështje drejtësie. Këto punë i di drejtësia. Më e qartë se ska rasti i 21 janarit. Çfarë mund të bënim ne? Reformën në drejtësi. Nëse nuk do kishte qenë reforma në drejtësi, do përsërisnim të njëjtat gjëra si ata me bufin e kënetës. Ne nuk jemi ata. Jemi drejt Europës”, u përgjigj Edi Rama.

Në mbyllje, kreu i qeverisë u shpreh se SPAK-un nuk e solli Amerika dhe garanci për funksionimin e tij është vetëm Partia Socialiste.