Ndryshimet klimatike dhe ndikimi tek thatësira 

Një grup shkencëtarësh kanë kryer një studim ku theksohet se ndryshimet klimatike ndikuan tek thatësira që goditi pjesë të Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe Kinës gjatë stinës së verës. Shkencëtarët vlerësojnë se kjo thatësirë është bërë të paktën 20 herë më e mundshme për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, krahasuar me një vend që nuk do të kishte asnjë ndikim të emetimeve njerëzore

Një studim i fundit i publikuar nga organizata “World Weather Attribution” arrin në përfudimin se ndryshimet klimatike ndikuan në thatësirën që goditi pjesë të Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe Kinës gjatë stinës së verës.

Studimi i kryer nga një grup shkencëtarësh, që analizojnë lidhjen mes motit ekstrem dhe ndryshimeve klimatike, thekson se kjo lloj thatësire do të godiste Hemisferën Veriore vetëm një herë në 400 vjet, nëse nuk do të ishin shkaktuar ndryshimet klimatike nga njeriu.

Tani vende të ndryshme mund të kalojnë thatësira të tilla një herë në 20 vjet. Dhe shkencëtarët japin alarmin se me ngrohjen shtesë të klimës, këto lloje thatësirash mund të ndodhin çdo vit.

“Sipas rezultateve kryesore të analizës sonë, të dhënat sugjerojnë se me të vërtetë kjo thatësirë në Hemisferën Veriore është bërë të paktën 20 herë më e mundshme për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, krahasuar me një vend që nuk do të kishte asnjë ndikim nga çlirimi i gazeve të dëmshme falë njerëzve”, thotë shkencëtarja për klimën, Isabelle Seneviratne.

Për të kuptuar ndikimin e ndryshimeve klimatike tek thatësira që goditi Hemisferën Veriore, shkencëtarët analizuan të dhënat e motit, simulimet kompjuterike dhe lagështinë e tokës në të gjithë rajonet, duke përjashtuar zonat tropikale.

Shkencëtarët zbuluan se ndryshimet klmatike ndikuan tek thatësira e tokës gjatë disa muajve të fundit.

“Ne tani po shohim pasojat e ndryshimeve klimatike në thatësirën që kaluam. Ndryshimet klimatike tani po na godasin fort. Gjithashtu po na godet fort jo vetëm në vendet e varfra si Pakistani, por gjithashtu në disa nga pjesët më të pasura të botës, si Evropa Qendrore e Perëndimore, që në fakt ishin konsideruar më pak të cënueshme. Nuk mendoj se njerëzit e dinin se ndikimet do të na vinin kaq fort dhe kaq shpejt”, thotë shkencëtari për klimën, Maarten van Aalst.

Shkencëtarët thonë se ky studim duhet të jetë një kambanë alarmi me qëllim që të shmangen pasojat e tmerrshme nga ndryshimet klimatike në të ardhmen.