Ndalohet automjeti me 9 kg kanabis në Rrugën e Kombit, arrestohet 50-vjeçari dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij

Policia shqiptare ka njoftuar sot finalizimin e një operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Si rezultat i këtij operacioni, në Rrugën e Kombit, në vendin e quajtur Reps, Mirditë, policia ka lokalizuar lëvizjen e një automjeti duke e ndaluar për kontroll.

Gjatë kontrollit janë gjetur 2 qese të mbushura me lëndë të dyshuar narkotike e cila pas peshimit rezultoi 9 kilogramë, ka shtuar policia në një postim në Facebook ku ka publikuar edhe pamjet e operacionit.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Ç., 50 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim drejtuesi i mjetit, shtetasi D. P., 53 vjeç, banues në Pukë, i cili gjatë ndërhyrjes së policisë, ka mundur të largohet.

Vijojnë kontrollet dhe krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e tij, ka theksuar policia.