Dua gjithçka të del në shesh, nuk shoh faj tek unë/ Florin Besimi njëri prej të akuzuarve për zjarrin në Tetovë?
Shkup, 16 maj – Ish drejtori i Spitalit Klinik në Tetovë, Florin Besimi do të jetë një prej të akuzuarve për zjarrin që u shkaktua në shtator të vitit të kaluar në spitalin modular në Tetovë, e ku humbën jetën 14 persona, informon Zhurnal.
Përpos Besimit, përgjegjësi do të kërkohet edhe kundër dy personave tjerë fizik të cilët gjithashtu kanë patur pozita udhëheqëse. Sipas informatave të para, përgjegjësi do të kërkohen sipas hierarkisë, gjegjësisht obligimit të tyre prë t’u kujdesur dhe për të vendosur rend në spital. Gjatë javës së ardhshme pritet të përfundojë gjithçka dhe të ngriten akuzat.
Ndërkohë Florin Besimi në një deklaratë për A1on thotë se nuk ka informata nëse dhe për çfarë vepre mund të akuzohet, por shton se thjeshtë e di se lënda ende është në Prokurorinë e Tetovës. Atij thjeshtë i vjen keq që 14 persona humbën jetën në natën tragjike të 8 shtatorit 2021.
“Absolutisht nuk shoh faj tek unë. Përgjegjësi morale po, sepse kam udhëhequr në atë kohë. Ka dokumente, ka argumente, unë pres drejtësia të del në pah dhe sa më shpejtë të zbardhet. Le ta dijë opinioni, le ta dijnë familjet. Ky ishte një rast tragjik, më vjen keq prë të gjithë që vdiqën. Një nga ngjarjet më të rënda. Dua nëse mundemi, të gjithë, edhe ju si media, të kontribojmë sa më shpejtë të zbardhet se kush ishte fajtori, të marë përgjegjësinë”, thotë Florin Besimi për A1on.
I pyetur se ÇKA nëse Prokuroria ngritë akuzë kundër tij, ai thotë se ende herët është për të menduar për këtë gjë.
“Edhe ata le ta kryejnë punën e tyre, kështu që si të vendosin ata, ajo është. Unë, gjithmonë, si tani por edhe në të ardhmen, nëse thirrem, gjithnjë do të paraqitem në gjykatë. Dua gjithçka të jetë transparente, të gjithë ta dijnë dhe të dëgjojnë. Gjithçka të jetë transparente, dua gjithkush të mer përgjegjësinë e tij, nëse unë kam përgjegjësi, do ta mar mbi vete”, thotë Besimi.
Ai nuk dëshiron të komentojë për atë se si është shkaktuar zjarri duke shtuar se kjo çështje i takon organeve.
Ndryshe, akuzat që pritet të ngrihen këtë apo javën tjetër, do të ndodhë tetë muaj pas tragjedisë. Në hetimin e këtij rasti, morën pjesë edhe ekspertë gjermanë, të cilët para tre muajve dorëzuan raportin në Prokurorinë e Shkupit./Zhurnal.mk

