Mucunski kërkon takim me homologen bullgare për ngërçin e mospajtimet

Shkup, 14 Maj, medial.mk/ – Një takim i vërtetë mund të ndodhë këtë muaj midis ministrit të jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Bullgarisë, ndryshe nga një shtrëngim duarsh dhe i shkurtër që ndodhi midis të dyve para katër ditësh, paralajmëroi sot ministri maqedonas, shkruan medial.mk/.

Timço Muçunski tha sot se ai ka kërkuar një takim me Velislava Petrova për pas dhjetë ditësh, kur që të dy do të jenë në Suedi për një takim të ministrave homolog të vendeve anëtare të NATOs, përkatësisht me 21 e 22 Maj në Helsingborg.

“Me iniciativën time kam kërkuar që të zhvilloj një takim zyrtar dypalësh me kolegen time nga Bullgaria, në të cilin një nga temat e diskutimit do të jenë këto kushte jo-evropiane që po i imponohen vendit tonë,” u tha gazetarëve sot Mucunski.

Në pritje të përgjegjes nga Sofja, ai tha se është optimist se Petrova do të pranoj që të zhvillohet takimi midis të dyve në qytetin suedez, për rrugën e bllokuar të vendit për hyrje në Bashkimin Evropian dhe përplasjet dy palëshe për identitin dhe gjuhën maqedonase.

Që të dy patën me 11 Maj një bisedë të shkurtër në Bruksel, në kuadër të takimit të zgjeruar midis minstrave të vendeve anëtare të Be-së dhe vendeve aspiruese për hyrje në BE.
Petrova u tha mediave bullgare se gjatë bisedës ia përcolli qëndrimin e qeverisë së Rumen Radevit homologut të tij të Maqedonisë së Veriut, se Shkupi se kushti i vitit 2022 duhet që të realizohet, e cili ka të bëjë me kërkesën e BE-së të imponuar nga bullgaria për të futur bashkësinë bullgare në kushtetutë.

Ajo në deklaratën e saj e përdori termin ‘maqedonas të veriut”, që shkaktoi reagim nga Mucunski duke e trajtuar këtë emërtim si goditje ndaj identitetit maqedonas.
“Do të doja t’ju kujtoja se përdorimi i termit ‘maqedonas të veriut’ për t’iu referuar popullit maqedonas është i pasaktë dhe i papërshtatshëm. Maqedonasit janë maqedonas. Kjo nuk është çështje politike, por respekti themelor për identitetin dhe dinjitetin e një populli”, shkroi Mucuncki të njëjtën ditë, duke e ftuar Petrovën për një takim “në një atmosferë miqësore dhe pozitive, që synon ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe të ardhmes sonë të përbashkët evropiane”.

Kryeministri Hristijan Mickoski dhe partia e tij, VMRO-DPMNE, refuzojnë që të japin votat në kuvend për të përmbushur kushtin e korrikut 2022 për të ndryshuar kushtetutën.
Mickoski refuzon të bëjë ndryshime kushtetuese, nëse Bullgaria dhe BE nuk i plotësojnë dy kundërkushtet e tij.

Ai kërkon që Bullgaria të respektojë të drejtat e komunitetit maqedonas në Bullgari, dhe së dyti që Bullgaria dhe vetë BE të japin garanci zyrtare se Sofja nuk do të ketë kërkesa dhe kushte shtesë për çështjet që lidhen me identitetin dhe gjuhën maqedonase, të cilën Bullgaria refuzon ta njohë si të tillë por e trajton si një derivat të gjuhës bullgare.

Por, meqenëse asnjëra nga palët nuk po heqë dorë nga kushtet e tyre, bllokimi vazhdon prej katër vitesh dhe pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi nuk shihet asnjë ndërmjetësim në tunel nga një palë e tretë për një kompromis. / medial.mk/

Leave a Reply