Muçollari: PD do e trajtojë sigurinë ushqimore njësoj si sigurinë kombëtare

Partia Demokratike prezantoi sot platformën dhe angazhimin e saj për sigurinë ushqimore në prani të ekspertëve të fushës.

Grigels Muçollari, anëtar i kryesisë së PD, njëherësh kandidat për deputet në qarkun e Tiranës u shpreh se Partia Demokratike do të sjellë një transformim total të situatës. Ai u ndal në gjendjen aktuale, që është alarmuese, sipas tij.

“Një nga pasiguritë e mëdha që nuk bën zhurmë por po bën kërdinë, është pasiguria ushqimore. Sepse është çdo ditë prezent në tregjet, në tryezat tona familjare. Nuk kemi siguri ushqimore. Ai institucion është përdorur për të shpërblyer shërbimet që eksponentë të drejtësisë së re, kanë kryer për rilindjen”, u shpreh Muçollari duke iu referuar Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Muçollari tha se situatën aktuale e shpjegon edhe korrupsioni.

“A ka trishtim më të madh që produkti i fermerëve tanë në këtë tokë të bekuar të na kthehet mbrapsht në kufi. Sepse qeveria nuk bën punën, se nuk kontrollon pesticidet që vijnë nga importi, se fermeri nuk ka ku të konsultohet”, u shpreh ai.

“Partia Demokratike e konsideron sigurinë ushqimore, një nga siguritë bazë që duhet të gëzojë qytetari shqiptar. Ne do trajtojmë sigurinë ushqimore, njësoj si sigurinë kombëtare”, u shpreh Muçollari i cili u ndal dhe në masa konkrete në rritjen e kapaciteteve njerëzore, infrastrukturore dhe buxhetit për kontrollin e ushqimeve dhe produkteve.

Muçollari tha se me aq para sa janë shpenzuar për kopshtin privat të Ramës në Kryeministri, mund të ishin ngritur dy laboratorë të mira për kontrollin e ushqimeve.