Mishel: E mbështes “Ballkanin e Hapur”, shpresoj që më shumë vende t’i bashkohen nismës

Shkup, 20 maj – Kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Misheli në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Ramën në Tiranë tha se e mbështet “Ballkanin e Hapur” dhe shtoi se sa më shumë vende të Ballkanit Perëndimor të bashkohen, aq janë më të mëdha mundësitë për përforcimin e ekonomive.
“Personalisht e mbështes ‘Ballkanin e Hapur’ dhe dëshiroj të gjithë t’i bashkohen kësaj nisme, sa më shumë të jenë, aq më të mëdha do të jenë mundësitë për përforcimin e ekonomisë dhe afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në, me paketa financiare”, tha Misheli.
Lidhur me fillimin e negociatave me Shqipërisë, ai shprehu shpresë se kjo pengesë do të tejkalohet sa më shpejt.
“Në vend ka padurim për fillimin e negociatave me BE-në, të tejkalohet kjo pengesë dhe sa më shpejt të fillohen negociatat. I thash kryeministrit, do të kemi takim të fundit të presidencës franceze që të zgjidhet kjo situatë. Sinqerisht shpresoj se në javën e parafundit të qershorit do ta bëjmë këtë. Qëndrimi i kryeministrit është plotësisht i arsyeshëm në këtë pikëpamje”, tha Misheli.