Ministria e Financave vazhdon me debatet publike për reformat tatimore

Shkup, 15 gusht – Ministria e Financave vijon me vazhdën e takimeve në kuadër të debatit publik për Konceptin e reformës tatimore. Sot, në Ministrinë e Financave, ministri Fatmir Besimi, këtë koncept e prezantoi para përfaqësuesve të sektorit joqeveritar, shoqërive konsulente dhe revizore, si dhe organizatave të bizinesit. Në takim morën pjesë drejtoresha dhe zëvendësdrejtori i Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Sanja Llukarevska dhe Abdul Selam Selami, si dhe drejtoresha dhe zëvendësdrejtori i Drejtorisë Doganore, Sllavica Kutirov dhe Muarem Asani.

Në këtë takim, ministri pohoi se njëjtë si në takimet e mëparshme të zhvilluara në kuadër të debatit publik, edhe sot, ritheksoi se ky është një Propozim koncept i reformës tatimore që do të definohet pas përfundimit të debatit publik dhe pasi t’u prezantohet të gjitha palëve të interesuara në shoqëri.

“E gjithë kjo nevojitet që reforma tatimore të jetë e qëndrueshme. Reforma tatimore, nuk është zgjidhje që duhet të shikohet si nevojë për të siguruar më shumë mjete në buxhet, por si reformë që nënkupton arritje të rritjes së qëndrueshme ekonomike. Prandaj, ajo është si rrjedhojë e Ligjit të ri për Buxhetet, ku u përcaktuan rregullat fiskale lidhur me mënyrën sesi do të shpenzohen mjetet e qytetarëve”, tha ministri Besimi dhe shtoi se nevoja për zbatimin e një reforme të këtillë është si rezultat i faktit se vendi ka një nga nivelet më të ulëta të pjesëmarrjes së të hyrave nga tatimet dhe kontributet në PBB, në krahasim me vendet e BE-së.

“Sot, si në takimet e deritanishme, ripërsëris që nuk ka zgjidhje përfundimtare, përkatësisht nuk ka rritje të tatimeve. Koncepti i reformës tatimore i referohet rritjes së nivelit të përfshirjes së të hyrave që janë lëndë e tatimimit, përmes rishikimit të trajtimit preferencial të kategorive të caktuara të burimeve të të hyrave, të investimeve dhe kategorive të subjekteve afariste, si dhe vendosjes së më shumë obliguesve tatimorë në sistemin tatimor përmes zvogëlimit të ekonomisë joformale”, theksoi ministri.

Ky proces është inkluziv dhe transparent. Në këtë drejtim janë edhe takimet që do të realizohen në periudhën e ardhshme me ekspertët, përfaqësuesit e ASHAM-it dhe ngjashëm, ku secilit do t’i ofrohet mundësia të kontribuojë me propzimin ose qëndrimin e tij, duke dërguar porosi në Ministrinë e Financave në linkun posaçërisht të krijuar në faqen e internetit të Ministrisë së Financave.

Debati publik për Konceptin e reformës tatimore, filloi në fillim të këtij muaji dhe do të zgjasë deri në mes të muajit shtator, ku si rezultat pritet të ketë propozim zgjidhje ligjore.

Reforma do të zbatohet gradualisht, në periudhën kohore nga viti 2023 deri në vitin 2025.

Koncepti i reformave tatimore bazohet në pesë prioritet e definuara në Strategjinë e reformave të sistemit tatimor (2021-2025), të cilat i referohen: drejtësisë më të madhe tatimore; efikasitet dhe efikektiviteti më të madh të sistemit tatimor për arkëtim më të mirë të të hyrave; rritjes së transparencës tatimore; cilësisë më të mirë të shërbimeve dhe afirmimit të politikës tatimore ekologjike, informojnë nga Ministria e Ekonomisë.