Micotakis me mbështetje për konvokimin e Konferencës së parë ndërqeveritare të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në

Athinë, 23 shkurt –  U pajtuam të punojmë së bashku që sa më parë të jetë e mundur të konvokohet Konferenca e parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, porositi kryeministri grek, Kirjakos Micotakis pas takimit me homologun e tij rumun, Nikollae Çiuka gjatë vizitës zyrtare në Rumani, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Ballkani Perëndimor ka qenë një prej temave të takimit të dy kryeministrave të cilët shprehën mbështetje të fuqishme për perspektivën evropiane të rajonit.

“Patëm mundësi të bisedojnë për ngjarjet në Ballkanin Perëndimor. Absolutisht pajtohemi se vendi i Ballkanit Perëndimor, i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor është në Evropë dhe mund të punojmë së bashku për ta lehtësuar këtë rrjedhë. U pajtuam që të punojmë së bashku që sa më parë të konvokohet Konferenca e parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, porositi Micotakis.

Kryeministri rumun Çiuka nga ana tjetër kumtoi se lidhur me zgjerimin e Bashkimit Evropian, kanë konstatuar se Rumania dhe Greqia mbeten mbështetës aktivë të këtij procesi i cili duhet të zhvillohet në bazë të meritave të vendeve kandidate.

“Qëndrimet tona përputhen, zgjerimi është investim gjeostrategjik në stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë kontinentit evropian”, theksoi kryeministri rumun.

Çiuka dhe Micotakis, biseduan edhe për një sërë temash të tjera, si situata në Ukrainë por edhe çështje me interes të përbashkët ndërsa nënshkruan edhe deklaratë të përbashkët për zhvillimin shtesë të bashkëpunimit bilateral ekonomik dhe politik Rumani – Greqi.

Kryeministri grek, Kirjakos Micotakis sot ndodhet për vizitën e parë zyrtare në Rumani, ndërsa përveç me homologun e ri rumun Nikollae Çiuka u takua edhe me presidentin e Rumanisë, Klaus Johanis.