Medresantët të shqetësuar për fatin e tyre, kanë shumë pyetje për kreun e BFI-së Shaqir Fetahu, ende asnjë përgjigje!
Shkup, 28 gusht – Nxënësit që kanë kryer shkollën e mesme në Medresenë “Isa Beu” në Shkup, me shumë ankth po presin afatet për regjistrime në fakultete. Kjo për shkak të informatave kontradiktore mbi statusin e shkollës ku kanë kryer shkollimin e mesëm, respektivisht zotimeve nga kreu i BFI-së dhe qeverisë së kaluar se statusi i shkollës dhe diplomave të tyre është zgjidhur, e që më tani po del se kanë qenë të rrejshme.
Nxënësit e këtyre shkollave ditë me radhë janë drejtuar në redaksinë tonë, duke kërkuar informata lidhur me fatin e tyre akademik.
Zhurnal i është drejtuar zyrtarisht BFI-së për sqarim të kësaj situate. Edhe pse pyetjet i kemi adresuar në formën më zyrtare dhe më të kulturuar, përgjigje ende nuk kemi.
Zanafilla e deklaratave që shkaktuan huti
Gjithçka filloi më 26 mars të këtij viti, kur qeveria solli një vendim dhe vazhdoi më 28 mars të këtij viti, kur disa mediume postuann në formën e lajmit bombastik një informacion për takim mes kryetarit të BFI-së, Shaqir Fetahu dhe kryeministrit të atëhershëm teknik, Talat Xhaferi, pas të cilit pretendohej se është zgjidhur përfundimisht statusi i Medresesë dhe shkollave fetare.
“Në takim, fokusi kryesor ishte në vendimin e fundit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të miratuar në mbledhjen e 26 marsit të vitit 2024, me të cilin jepet pëlqim për themelimin e Shkollës së Mesme Private “Madreseja Isa Beu” – në fshatin Kondovë, Shkup, e akredituar dhe me status të shkollës së mesme të rregullt. Ky vendim paraqet zgjidhje për problemin e kamotshëm me të cilin ballafaqoheshin nxënësit e Medresesë Isa Beg në Shkup, të cilët pas përfundimit të arsimit të mesëm në shkollën e mesme islame, nuk mundeshin të regjistrohen në studimet universitare në fakultetet në vend, që për ta paraqiste një handikap dhe diskriminim të madh. Njëherazi, kjo është një çështje për të cilën Kryeministri Xhaferi ka shprehur interes gjatë mandatit të tij si Kryetar i dhomës ligjvënëse, kur mori përsipër formimin e grupit punues që do të hartojë një zgjidhje ligjore që do të rregullojë statusin e shkollave fetare, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme për arritjen e tolerancës më të lartë ndër-fetare dhe parandalimin e çdo devijimi nga mësimi burimor.
Ef. Fetai shprehu falënderim për takimin dhe mirënjohje për këmbënguljen dhe përkushtimin e Kryeministrit Xhaferi në gjetjen e modusit me të cilin do të realizohet ky qëllim dhe më në fund nxënësit që e ndjekin mësimin në Medresenë Isa Beu, do të mund të inkuadrohen në mënyrë të barabartë në sistemin e arsimit të lartë në Republikën Maqedonia së Veriut. Mësimi në Shkollën e Mesme Private “Medreseja Isa Beu” do të zhvillohet në gjuhën maqedonase, shqipe dhe turke. Do të organizohet dhe realizohet mësim për arsimin e mesëm të gjimnazit në përputhje me planet arsimore dhe programet e miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe në përputhje me Ligjin për arsim të mesëm”, u njoftua pas këtij takimi të 28 marsit.
Edhe ish ministri për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shaqiri, menjëherë pas takimit Xhaferi-Fetahu, pat njoftuar që problemi me mosnjohjen e diplomave për nxënësit e “Medresës Isa Beu” është zgjidhur.
“Me vendim qeverie zgjidhet problemi i “Medreses Isa Beu”. Nxënësit të cilët do ta kryejnë arsimin e mesëm në Shkollën e mesme islame “Medreseja Isa Beu” do të mund të regjistrojnë studimet universitare në fakultetet e vendit”, njoftoi atëkohë Shaqiri, duke vlerësuar që përmes këtij vendimi do të zgjidhet problemi shumëvjeçar i medresantëve që kanë diplomuar në këtë shkollë.
Me njoftim të veçantë doli edhe BFI, duke e lavdëruar vendimin e ish qeverisë, pa ngritur fare dilemën se pse çështja nuk është zgjidhur me ligj, por vetëm me vendim qeverie. Rezultuan si të drejta vlerësimet e disa profesorëve më të njohur të kësaj medreseje, se nuk është getur zgjidhje përfundimtare, por vetëm është sjellur një vendim në funksion të fushatës pparazgjedhore që veçmë kishte filluar, sado që ende në formën jozyrtare.
Pse nuk u zgjidh problemi me ligj, por me vendim qeverie?
Përndryshe futja e shkollave të mesme fetare në sistemin shtetëror trajtohet me vite të tëra. Nismë pati në vitin 2009 kur fakulteti për islamin dhe ai ortodoksinë u futën në sistemin shtetëror, por pa asgjë konkrete. Në vitin 2015 gjithashtu pati tentativë për zgjidhjen e kësaj, por përsëri pa rezultat konkret.
Rezultat konkret nuk ka as pas vendimit të 26 marsit të qeverisë teknike, sepse ministrja e re e arsimit, Vensa Janevska, ka bë të ditur se nxënësit që përfundojnë arsimin e mesëm fetar nuk do të mund të regjistrohen në asnjë fakultet tjetër përveç atyre fetare, pavarësisht vendimit nga Qeveria e kaluar që promovonte me pompozitet të kundërtën.
“Është firmosur dokument në të cilin medreseja duhet të shndërrohet në gjimnaz privat. Kjo, sërish nuk nënkupton se ato që do të mësojnë në shkollë fetare do të mund të regjistrohen në fakultete. Vetëm ata që do të përfundojnë gjimnazin katërvjeçar sipas programeve shtetërore të Byrosë për Zhvillimin e Arsimit do të mund të regjistrohen në fakultete. Thelbi nuk është ta ndryshojmë karakterin, thelbi është të kemi shtet të organizuar. Vlerësoj se është masë populiste sepse nuk ka bazë ligjore që t’u thuhet atyre fëmijëve se munden. Pra, këtë vit ata që përfunduan shkollat fetare nuk mund të regjistrohen në asnjë fakultet tjetër”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Në vend se tani të dalë me ndonjë reagim ose sqarim, Shaqir Fetahu dhe ekipi i tij tani kanë zgjedhur heshtjen, ndoshta në funksion të informatave që po qarkullojnë se është duke tentuar të afrohet me qeverinë e re.
E ndërkohë, medresantët e diplomuar të cilëve logjikisht më shumë u intereson fati i tyre, se kush do të mbetet e ksh nuk do të mbetet kryetar i BFI-së, me të drejtë parashtrojnë pyetjen: Ku është reisi Shaqir Fetahu, mos ka shkuar n’deti për pushim?, pyetje me të cilën duan të senisibilizojnë opinionin por dhe të prekin ndërgjegjen e udhëheqësve të BFI-së./Zhurnal