Me ushtrim simulues shënohet Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve në NJTZ të Tetovës

Tetovë, 20 maj – Me ushtrim simulues, sot Njësia Territoriale e Zjarrfikësve në Tetovë e shënoi 20 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Zjarrfikësve.

Nxënësit nga shkollat e mesme dhe përfaqësuesit e institucioneve lokale patën mundësi të marrin  pjesë në ushtrimin simulues, që e realizuan zjarrfikësit.

“Kemi demonstruar ndërhyrje në një aksident dhe shpëtimin e të lënduarve nga dy automjetet që morën pjesë. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte të ndikojë në edukimin e nxënësve dhe të tregojë rëndësinë e zjarrfikësve në një shoqëri, veçanërisht në aksidente dhe zjarre. Mysafirët tanë ishin maturantët, të cilët tani si të rritur do të përballen me ngjarje të tilla të pakëndshme dhe me këtë ushtrim do të kenë informacion se çfarë mund të ndodhë dhe çfarë mund të bëhet dhe të ndërmerret”, deklaroi Uka Aliti, komandant i zjarrfikësve të Tetovës.

Gjatë ushtrimit simulues, NJTZ të Tetovës  ka pranuar tri thirrje, në të cilat realisht është intervenuar. Zjarret në ambiente të jashtme janë shuar në fshatrat Tenovë dhe Xhepçishtë, si dhe në zonën afër ish-Institucionit Korrektues në rrugën “Ljubotenska” në Tetovë.