Mbreti Charles dëbon Princin Andrew nga Pallati Buckingham

Princi Andrew nuk është më i mirëpritur në Pallatin Buckingham. Që do të thotë se ai nuk do të mund të përdorë më dhomat luksoze të Pallatit që më parë ishin shtëpia dhe zyra e tij.

Mbreti Charles III ia hoqi këtë akses vëllait të tij më të vogël Andrew në selinë e kurorës britanike, pasi Duka i Jorkut dha dorëheqjen nga detyrat e tij mbretërore në 2019. Ai u përfol për lidhjen e tij të diskutueshme me miliarderin e akuzuar për pedofili, Jeffrey Epstein, i cili vdiq në burg në gusht 2019.

Charles III dyshohet se i tha Princit Andrew se “nuk ka vend” për të në Pallat dhe se ai do të duhet të shkojë diku tjetër nëse dëshiron të qëndrojë në Londër.
Sipas shtypit britanik, ndërkohë që pallati po rinovohet, sendet personale të Princit Andrew janë zhvendosur dhe nuk do të pranohen më brenda Pallatit Buckingham.
Tabloidi The Sun citoi një burim të thoshte: ” Mbreti e ka bërë të qartë se Pallati Buckingham nuk është më shtëpia e Princit Andrew”.

“Në fillim ia mbyllën zyrën vitin e kaluar dhe tani ia morën dhomën e gjumit. Princit Andrew i pëlqente të kishte një suitë në Pallatin Buckingham, ku ai jo vetëm që filloi jetën e tij martesore me Sarah Ferguson në atë kohë, por që atëherë është përdorur si një bllok beqarie pas divorcit të tij”.

Lajmi vjen mes thashethemeve se Duka i Jorkut planifikon të nisë një çështje ligjore prej 10 milionë paund kundër Virginia Giuffre, e cila e ka akuzuar atë për sulm seksual ndaj saj kur ishte e mitur.

Princi ka mohuar me forcë të gjitha akuzat dhe ka pohuar vazhdimisht se nuk e njeh Giuffre. Ai bëri një marrëveshje shumëmilionëshe me të vitin e kaluar për të parandaluar që çështja të vazhdonte në një gjyq civil.