Masa të rrepta sigurie, dalin para gjykatës të dyshuarit për vrasjen e policit

Nën masa të rrepta sigurie janë sjell në Gjykatën Themelore në Ferizaj gjashtë të dyshuarit në përfshirje në rastin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika.
Aty është zhvilluar seanca dëgjimore ndaj tyre për të iu caktuar masa e sigurisë.
Seanca për shkak të ndjeshmërisë së rastit, ka qenë e mbyllur për media e publik.
Ndërkohë për ta nga Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Sipas kërkesës që e ka siguruar Dukagjini, thuhet se janë plotësuar kushtet për këtë, siç është pesha e rëndë e veprës penale por edhe fakti se ajo është kryer mbi nje polic.
“Prokurori i Shtetit, konsideron se përmbushet kushti ligjor, nga neni 163 paragrafi 2 nën paragrafi 2.5, pika 2.5.1 të KPP-së, ngase me gjetjen e të pandehurve në liri të plotë dhe të pakufizuar në lëvizje, ekziston rreziku i ikjes dhe mos sigurimi i pranisë së të pandehurve në procedurë gjyqësore duke ditur se të njëjtit nga dita e kryerjes së veprës iu janë shmangur qëllimisht organeve të ndjekjes dhe në këtë mënyrë mund të pengohet rrjedha e procedurës penale duke pasur parasysh peshën e veprës penale dhe lartësinë e dënimit të përcaktuar për këtë vepër penale”.
Aty shtohet se nëse të pandehurit janë në lirë mund të arratisen, të fshehin e asgjësojnë provat dhe të ndikojnë në rrjedhën e procedurës.
Prokurori i rastit, Ismet Rrahmani sqaron në kërkesën e tij edhe detaje si ndodhi vrasje dhe si u planifikua ajo, që nisi me përcjelljen e Muhamed Likës nga stacioni i Policisë.
“Nga këto prova vërtetohet se me datë 01 Prill 2025, rreth orës 23:00h, në Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, përkatësisht në katin e II-të të hyrjes së ndërtesës, në bashkëveprim, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë planifikuar për ta privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin e policisë, rreshter Muhamet Lika, me detyrë në Stacionin Policor në Kaçanik, në atë mënyrë që viktima rreshter Muhamet Lika pas përfundimit të orarit të punës (ora 22:53:50, kamerat e sigurisë së SP Kaçanik) rrugës për në banesën e tij, ka lëvizur drejt vendbanimit të tij, ndërsa i pandehuri Haki Bela pasi që kishte qëndruar në lokalin e tij “Aksa”, dhe prej aty niset për në drejtim të Stacionit Policor, ku në ora (22:53), përballë kalohet me viktimën Muhamet Lika, e pastaj viktima vazhdon në drejtim të banesës ndërsa i pandehuri Haki vazhdon në drejtim të rrugës “UÇK” për 20 metra dhe më pastaj pas 30 sekondave kthehet në drejtim të viktimës, në vazhdim të pandehurit Shkëlqim Kuka dhe Edmond Lika në rrugë vëzhgojnë rrugëtimin e viktimës”.
Pas kësaj, Prokuroria e mbështetur në xhirime të ndryshme të kamerave të sigurisë shpjegon që në këmbë e kishte përcjell dorasi.
“….ku i mituri Rejhan Bela nga pamjet e kamerave të sigurisë në ora 22:57 vazhdon duke e përcjellë viktimën duke ecur rreth 15-20 metra mbrapa viktimës, i cili hynë në hyrjen e banesës së tij, dhe menjëherë pas viktimës i mituri Rejhan Bela hynë pas tij në hyrjen e objektit të banesës, në vend ngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm dhe nga plagët e marra, viktima Muhamet Lika në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik nga ekipet mjekësore është konstatuar vdekja e tij….”.
Personi që dyshohet se e ka vrarë rreshterin Lika në momentin e kryerjes së krimit i kishte 17 vjet, e pikërisht në ditën e arrestimit kishte mbushur 18.
Sipas kallxo.com, ai ka pasur të kaluar kriminale dhe ndër të tjera ishte i dënuar për dhunim e kishte një urdhër arrest aktiv ndaj tij. Askush nuk ka dhënë ende përgjegjësi pse ky urdhër nuk është zbatuar asnjëherë.