Marëdhëniet Kinë – Vendet e EQL- në një optikë të re zhvillimi

Përfaqësuesja e posaçme e Ministrisë së punëve të Jashtme për Bashkëpunimin Kinë-Vendet e EQL-së, ambasadorja Jiang Yu, vizitoi Republikën Çeke, Sllovakinë, Bullgarinë, Hungarinë, Rumaninë, Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjatë vizitës ajo u takua dhe zhvilloi bisedime me këshilltarë politikë të liderëve të vendeve të ndryshme, zyrtarë përkatës të ministrive të jashtme dhe parlamenteve, koordinatorë kombëtarë për çështjet e bashkëpunimit Kinë-vendet e EQL-së, përfaqësues të instituteve të studimit të politikave, medies, qarqeve të biznesit dhe shoqatave të miqësisë. Gjatë këtyre takimeve u diskutua mbi bashkëpunimin Kinë-vendet e EQL-së, marrëdhëniet dypalëshe dhe marrëdhëniet Kinë-BE.

Palët shqyrtuan së bashku arritjet në fusha të ndryshme që nga fillimi i Bashkëpunimit Kinë-Vendet e EQL-së dhjetë vjet më parë, dhe shkëmbyen mendime për zhvillimin e ardhshëm të këtij bashkëpunimi.

Lidhur me zhvillimin 10-vjeçar të Bashkëpunimit Kinë-Vendet e EQL-së, ambasadorja Jiang Yu u shpreh se ky mekanizëm është një platformë bashkëpunimi ndërrajonal e ndërtuar bashkërisht nga Kina dhe vendet e EQL-së me synimin fillestar të bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella dhe të zhvillimit të përbashkët. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, ndërtimi i këtij mekanizmi është përmirësuar më tej dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme ka arritur rezultate të pasura. Në dhjetë vjetët e fundit, vëllimi i tregtisë ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore e Lindore është rritur me shpejtësi me 142.6 %, duke arritur në 136.2 miliardë dollarë vitin e kaluar. Ndër to, eksporti i produkteve bujqësore nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në Kinë është shtuar 1.5 herë. Numri i kinezëve që bënë turizëm në vendet e EQL-së në vitin 2019 arriti në 2.166 milionë, katër herë më shumë në krahasim me fillimin e nisjes së mekanizmit të bashkëpunimit. Aktualisht, Bashkëpunimi Kinë-Vendet e EQL-së ka formuar një strukturë trepërmasore që mbulon fusha të shumta, me efekte të shkallës dhe epërsi integruese që nuk mund të krahasohen me bashkëpunimin e thjeshtë dypalësh. Ky mekanizëm është bërë një forcë e rëndësishme për promovimin e zhvillimit të marrëdhënieve miqësore ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, përveç marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit Kinë-BE. Ai ka përmirësuar në mënyrë efektive nivelin e bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe ka sjellë përfitime të prekshme për popujt e të dyja palëve.

Lidhur me perspektivën e drejtimit të zhvillimit të Bashkëpunimit Kinë-Vendet e EQL-së në situatën e re, ambasadorja Jiang Yu parashtroi katër propozime të rëndësishme, të cilat do t’i japin një dimension të ri këtij bashkëpunimi.