LVV zyrtarizon Arben Vitinë në garën për kryetar të Prishtinës

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje është duke mbajtur takim, në të cilin do të zyrtarizohet lista me emrat e kandidatëve të këtij subjekti politik për kryetar të komunave në zgjedhjet e 17 tetorit.

Ashtu siç kishte shkruar Telegrafi, dy ditë më parë, burime brenda këtij takimi bëjnë të ditur se ky organ partiak i LVV, tashmë ka zyrtarizuar kandidaturën e Arben Vitisë për kryetar të Prishtinës.

Gjithashtu janë zyrtarizuar kandidaturat edhe të kryetarëve aktualë të Prizrenit dhe Podujevës, Mytaher Haskuka dhe Shpejtim Bulliqi, transmeton Telegrafi.

Është konfirmuar edhe kandidatura e deputetes Mimoza Kusari Lila për kryetare të Gjakovës.

Telegrafi sapo të përfundojë takimi i Këshillit të Përgjithshëm do të publikojë listën e plotë të kandidatëve të LVV për kryetarë komunash që do të garojnë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Deri tani në garë për kryetar të Prishtinës, subjektet politike kanë konfirmuar kandidaturat e Përparim Ramës (LDK), Uran Ismailit (PDK), Daut Haradinajt (AAK) dhe Selim Pacollit (AKR).