Lugatëria propagandistike serbe dhe “Ballkan Open”
Nga Adem Nimani
Duke lexuar lajmet sportive serbe, shohim sesi shtypi i dirigjuar nga politika e Beogradit shkon aq larg për të penguar e shantazhuar, jo vetëm Republikën e Kosovës, por edhe çdo sportist të saj, në cilindo sport apo garë që merr pjesë.
Radio B92 me titull të madh shkruan se futbollisti i Kosovës Lirim Kastrati që tash është lojtar i Dinamos së Zagrebit, nuk ka të drejtë të luajë në Moldavi, ku duhet të shkojë skuadra e tij kroate.
Së pari, pasi Moldavia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk duhet ta lejojë Lirim Kastratin të kaloj kufirin me pasaportë të Kosovës, thotë shtypi serb.
Së dyti eventualisht, nëse arrihet ky ndalim, kështu të dëmtohet edhe skuadra e Dinamos, e cila ndeshet me skuadrën “Sherif”, nga Moldavia, e cila eliminoi Crvena Zvezden e Beogradit.
Shtypi i Beogradit nuk nguron të thotë se Lirim Kastrati pasi është nga i “ i ashtuquajturi” shtet i Kosovës, nuk ka të drejtë të kalojë kufirin e të luaj në vendin që nuk e njeh Kosovën e pavarur.
Lugatëria propagandistike serbe shtihet e verbër dhe e paditur, duke harruar me qëllim se Kosova duke qenë e pranuar na FIFA dhe UEFA, edhe lojtarët e saj kanë të drejtë loje e pjesëmarrje në të gjitha garat e këtyre federatave.
Dihet mirë se Kosova sot është anëtare e të gjitha federatave ndërkombëtare të sportit dhe së paku këtu Serbia as nuk ka të drejtë morale të fusë nofkën e saj të lugatit.
Serbia e di mirë sa futbollistë shqiptarë të Kosovës luajnë në gjithë Evropën edhe më larg. Ka futbollistë shqiptarë të Kosovës që luajnë edhe në ato shtete që nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës, si Spanja, apo Greqia.
Nëse UEFA e FIFA a kanë njohur Kosovën, është krejt e qarte se asnjë shtet nuk mund te mos i pranojë edhe lojtarët që kanë pasaportë të Kosovës e që në një moment mund të kenë nevojë për të hyrë apo për të dal nga një vend ku shkojnë për gara të caktuara.