Lufta si mësim. Rajoni në BE për të mos hapur fronte tjera
Jo vetëm për temat ekonomike në Maqedoninë e Veriut, por edhe për ato politike burim është invazioni rus në Ukrainë. Në këtë drejtim, hidhet paralelja se sa i ngjashëm ka qenë kontesti Rusi- Ukrainë me kontestin aktual Maqedoni e Veriut- Bullgari. Ballkani prodhon shumë histori, aq sa s’mund ta konsumojë as vetë, shkruan Zhurnal.
Për Rusinë putiniste, Ukraina është e lidhur pazgjidhshmërisht me Rusinë. Verën e kaluar, në një fjalim në disa gjuhë në faqen zyrtare të Kremlinit, ai përsëriti se rusët dhe ukrainasit janë një popull i vetëm që ndajnë “një hapësirë të vetme historike dhe shpirtërore. Tezë kjo që u refuzua menjëherë nga qeveria e Kievit. Ndërkaq, jo ndryshe mendojnë edhe bullgarët për maqedonasit. Sipas historiografisë zyrtare bullgare banorët me origjinë sllave të Maqedonisë së Veriut janë bullgarë dhe flasin bullgarisht – por u lanë trurin gjatë regjimit komunist në Jugosllavinë e Titos (1945-91). Një identitet dhe gjuhë e re “maqedonase” u imponuan artificialisht. Ky pretendim nuk është i ri, është pozicioni zyrtar i Bullgarisë që nga vitet 1950.
Megjithatë, kërcënime më të rënda, së paku zyrtarisht, mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk ka pasur asnjëherë. Për momentin dy qeveritë aktuale kanë zgjedhur diplomacinë dhe dialogu pritet ta diktojë kontestin mes dy shteteve, që po bëhet pengesë për integrimin e Maqedonisë së Veriut, e me këtë edhe për integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në BE.
Marrë parasysh kontestet e pazgjidhura në Ballkan dhe faktin se është rajon i ndijshëm dhe vatra plot, opinioni i përfaqësive diplomatike në vend fokusohet pikërisht në këtë çështje. Nga ana tjetër, edhe drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, thonë se Bashkimi Evropian duhet të përshpejtojë procesin e integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor, me qëllim të forcimit të stabilitetit, tani pas agresionit rus në Ukrainë.
Lidhur me paralelet se qëndrimi i Rusisë ndaj Ukrainës është i ngjashëm me atë të Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, ambasadori i BE-së Dejvid Gir është i bindur se këto janë dy situata jashtëzakonisht të ndryshme. “Unë me të vërtetë dua ta refuzoj plotësisht këtë paralele. Në Ukrainë shohim qytete që bombardohen nga ushtria ruse, kemi një lider që thotë se Ukraina nuk është shtet. Ne kemi agresion ushtarak nga Rusia kundër një shteti sovran, integriteti territorial i të cilit është në pikëpyetje”.
“Sa i përket procesit aderues, mendoj se situata që e shohim vetëm e përforcon dhe e fuqizon atë që e dëgjuam nga të gjithë liderët e BE-së në tetorin e kaluar në Bërdo, se e kemi interes strategjik ta shohim këtë vend si vend anëtar në BE, dhe ky është mesazhi kryesorë që ne themi. Interes strategjik dhe interes i përbashkët është që ta shohim këtë vend si vend anëtarë në BE”, tha Gir.
Optimiste për ecurinë e Maqedonisë së Veriut në dialogun me Bullgarinë është edhe Ambasadorja amerikane Kejt Meri Bërns. “Jam optimistr për atë që shoh, për unitetin, fokusin në shtetin e së drejtës- pranimin se kjo çështje është e rëndësishëm se kurrë më parë- kështu që për momentin një pjesë e kësaj do të kthehet në një impuls pozitiv, përfshirë marrëdhëniet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”.
“Për gjithë botën për momentin sfidë është kriza ruso-ukrainase, përkatësisht agresioni rus ndaj Ukrainës. Kjo është një ngjarje që po ndryshon botën dhe ne si shtet anëtar i NATO-s dhe shtet kandidat për anëtarësim në BE, në tërësi mbështesin politikat e bllokut evropian, por edhe ne presim që BE-ja të përshpejtojë procesin e integrimit evropian. Hapja e negociatave të anëtarësimit do të ishte një sinjal i mirë për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke marrë parasysh kërcënimet që vijnë nga Rusia ndaj gjithkujt që kundërshton agresionin e saj. Ne jemi të përkushtuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, dhe në këtë drejtim presim edhe mbështetjen e BE-së, që përfundimisht të zhbllokohet procesi integrues”, tha Bojan Mariçiq, zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut për Çështje Evropiane.

