LSDM e VMRO-DPMNE tash përplasen për krye-prokurorin Savevski e prokurorin Abazi
Shkup, 14 Maj, medial.mk/ – Akuzat e kundër-akuzat ndërmjet dy partive kundërshtare maqedonase tash shtohen edhe për çështjen e gjendjesë ne sistemin gjyqësor, përkatësisht për punën e prokurorëve, shkruan medial.mk/.
LSDM sot bëri thirrje publike për dorëheqje të krye-prokurorit të sapo punësuar nga parlamenti e të propozuar nga qeveria, Nenad Savevski, ndërsa VMRO-DPMNE sot kërkoi dorëheqjen e prokurorit Islam Abazi.
Kërkesa e partisë opozitare ndaj Savevskit bëhet pasi që Kryeministri Hristijan Mickoski dje tha se e ka thirrur atë përmes telefonit për të biseduar për ndaljen e hetimit nga ana e prokurorit Islam Abazi lidhur me rastin e prokurimit të naftës në TC Negotinë e cila thuhet se kapë vlerën prej 167 milionë euro.
Bisedën e Mickoskit me Savevskin, LSDM-ja e trajton si ndërhyrje direkt e kryeministrit në punën e prokurorisë dhe e quan atë “skandal”.
“Prokurori Nenad Savevski duhet të japë dorëheqjen pas këtij skandali. Për shkak të dyshimeve në lidhje me pavarësinë e prokurorisë, LSDM nuk votoi për të. Ne e thamë këtë publikisht në atë kohë. Tani të gjithë e shohin se kishim të drejtë,” tha LSDM sot.
Sipas partisë opozitare ”çdo gjë që lidhet me Mickoskin nuk është e pavarur.”
“Kushdo që është fajtor duhet të mbajë përgjegjësi. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë. Por një kryeministër nuk mund të ndërhyjë në punën e një prokurorie dhe t'i caktojë detyra asaj nëpërmjet telefonit,” tha LSDM.
VMRO-DPMNE sot përsëri e akuzoi prokurorin Abazi, se “në emër të SDS-së dhe BDI-së, e mbylli çështjen për krimin me vlerë 167 milionë euro me qëllim që të shpëtonte stafin e tyre nga përgjegjësia penale.”
Sipas partisë në pushtet Drejtësia në Maqedoni është “vënë përsëri në shërbim të SDS-së dhe BDI-së.”
“Ky nuk është një vendim i rastësishëm, por provë e ndikimit të madh që Venko Filipçe, Ali Ahmeti dhe Zoran Zaev ende kanë mbi individët në prokurori dhe gjyqësor. Islam Abazi gënjen kur pretendon se nuk ka ushtruar asnjë ndikim mbi asnjë prokuror për të marrë një vendim të tillë për të ndaluar ndjekjen penale të këtij krimi të dyshuar prej 167 milionë eurosh. Sepse, si drejtues i Zyrës së Prokurorit Publik të Departamentit të Hetimit Penal, ai është i autorizuar të marrë një informim nga prokurori vartës një herë në javë për raste të tilla të mëdha, dhe gjithashtu është i autorizuar nëse një prokuror më i ulët vendos se nuk dëshiron, ose beson se nuk ka bazë që një rast i tillë të ndiqet penalisht, të vendosë të vazhdojë ndjekjen penale të çështjes, ose ta transferojë atë në juridiksionin e një prokurori tjetër,” tha VMRO-DPMNE në një komunikatë.
“Në vend që të jetë prokuror që do të ndjekë penalisht krimin e organizuar dhe korrupsionin, Islam Abazi ka marrë rolin e gjyqtarit dhe ka rënë dakord ta mbyllë çështjen prej 167 milionë eurosh para se ajo të shkojë në gjykatë,” tha ajo më tutje dhe kërkoi dorëheqjen e Abazit.
“VMRO-DPMNE nuk heq dorë nga zbatimi konsistent i drejtësisë dhe ligji që vlen njësoj për të gjithë, prandaj i bëjmë thirrje Islam Abazit të japë dorëheqjen, në mënyrë që sistemi të çlirohet nga ata si ai, të cilët në vend të drejtësisë sjellin padrejtësi dhe e çmontojnë sistemin gjyqësor,” tha partia e Micsoskit. / medial.mk/

