Liderët e SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë demonstrojnë front të bashkuar

“Jemi më të fuqishëm dhe punojmë më mirë kur veprojmë së bashku, të tre”, tha presidenti amerikan Xho Bajden pas samitit trepalësh të mbajtur me presidentin meksikan Manuel Lopez Orador dhe kryeministrin kanadez Xhastin Trudo në Meksiko Siti.

“Jam mirënjohës që ju kam të dy partnerë dhe do të shtoja si miq”, shtoi Bajden.

Të tre liderët ranë dakord se Amerika e Veriut duhet të mbetet rajoni ekonomik më konkurrues, më prosperues dhe i qëndrueshëm në botë. Ata ranë dakord gjithashtu se integrimi rajonal e zvogëlon varësinë e vendeve të tyre nga pjesët e tjera të botës, vlerat e të cilave ata nuk i ndajnë.

Para liderëve të Meksikës dhe Kanadasë, Bajden mbrojti gjithashtu vizionin e tij për ta kthyer kontinentin e Amerikës së Veriut në një nxitës të prodhimit të energjisë së pastër.

Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit, të tre liderët paraqitën një front të bashkuar edhe krahas tensioneve ekzistuese mes tyre.

Para takimit trepalësh, Bajden pati takime të veçanta me liderët e Meksikës dhe Kanadasë.