Lëvizje e paralajmëruar? Koreja e Veriut dërgon trupa për të luftuar me Rusinë
Koreja e Veriut ka nisur të dërgojë trupa për të luftuar me Rusinë në Ukrainë, ka thënë agjencia e spiunazhit të Koresë së Jugut ndërsa Seuli paralajmëroi për një “kërcënim të rëndë sigurie”.
Pretendimi vjen një ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se besonte se 10,000 ushtarë të Koresë së Veriut mund t’i bashkohen luftës, bazuar në informacionin e inteligjencës.
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol bëri thirrje për një takim sigurie të premten dhe tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të përgjigjet me “të gjitha mjetet në dispozicion”.
Sipas agjencisë së spiunazhit, 1,500 trupa kanë mbërritur tashmë në Rusi – me burime anonime që i kanë thënë mediave koreano-jugore se shifra përfundimtare mund të jetë më afër 12,000.
Kjo vjen pasi shtohen provat se Koreja e Veriut po furnizon Rusinë me municion, siç u demonstrua së fundmi nga rikuperimi i një rakete në rajonin Poltava të Ukrainës.
Moska dhe Pheniani gjithashtu kanë thelluar bashkëpunimin e tyre muajt e fundit. Javën e kaluar, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un përshëndeti presidentin rus Vladimir Putin në ditëlindjen e tij, duke e quajtur atë “shokun e tij më të ngushtë” .
Në takimin e sigurisë të së premtes morën pjesë zyrtarë kryesorë nga Zyra e Sigurisë Kombëtare e Koresë së Jugut, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare dhe Shërbimi Informativ Kombëtar, tha zyra e Yoon.
Pretendimi nga Shërbimi Informativ Kombëtar (NIS) vjen disa ditë pasi burime të inteligjencës ushtarake ukrainase thanë se ushtria ruse po formon një njësi të Koresë së Veriut./BBC