LD-ja e Izet Mexhitit magnet i anëtarëve të BDI-së!

Shkup, 19 janar – Ajo që po shihet vazhdimisht që kur Izet Mexhiti e mori bajrakun e reformave brenda BDI-së me çka përfunduan në themelimin e një partie të re, rahati në BDI nuk ka pasur. Aderime pa fund, rritje rapide e të pakontrullueshme, shtrirje të shpejt e të gjërë pothuajse në tërë territorin e vendit. E po më këtë avaz po vazhdon akoma, me çka po dëshmohet që Izet Mexhiti ka vërejtur pakënaqësi të mëdha përbrenda BDI-së prandaj hapi një derë të re për të gjithë këta që ishin pa opsion tjetër, shkruan Zhurnal.
Magneti i Izet Mexhitit ndaj anëtarëve të BDI-së akoma funksional –
Dje ishte një ditë e veçantë për LD-në e Izet Mexhitit pasi pikërisht në bastionin e tij aty ku qëndron më fortë forcohet edhe më shumë.
“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë ne në Lëvizjen Demokratike, pasi shënojmë një hap të rëndësishëm në rrugëtimin tonë politik. Ribashkimi i shokëve tanë nga radhët e BDI-së në familjen tonë politike është dëshmi e fuqisë së vlerave tona dhe vizionit të përbashkët për të ardhmen. Ky bashkim na bën më të fortë dhe na motivon të punojmë me përkushtim për të çuar përpara aspiratat tona për një shoqëri të drejtë dhe të barabartë”, kanë njoftuar nga LD.
Ata kanë përmendur edhe emrat të bashkangjitur me fotografi të personave që kanë historik dhe kanë qenë në themelet e partisë që e përjashtuan Izet Mexhitit, pra në BDI.
“Me kënaqësi mirëpresim në radhët tona emrat e rinj që i bashkohen Lëvizjes Demokratike:
– Zeko Abazi – Themelues i Degës BDI Saraj, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës
– Muhamet Hoxha – Anëtar i Degës BDI Saraj, ish-zëdhënës i Qeverisë së RMV
– Jonuz Metushi – Kryetar i Forumit Rinor BDI Saraj
– Atif Shabani – Kryetar i Këshillit Vendor BDI Çajlanë
– Bujamin Shabani – Anëtar i nëndegës Svillare
– Drita Feta – Koordinatore e Forumit të Gruas BDI Saraj
Ftojmë të gjithë ish-shokët tanë bashkëpartiakë që ndajnë të njëjtat ideale për barazi dhe zhvillim të qëndrueshëm të na bashkohen në këtë rrugëtim. Së bashku, ne mund të bëjmë ndryshimin e nevojshëm. Gjithmonë më të fuqishëm kur jemi bashkë!”, kanë njoftuar nga Lëvizja Demokratike.
Votuesit e heshtur, anëtarët me hamendje, të papërcaktuarit, tashmë janë rreshtuar pas Mexhtit dhe po besojnë në Lëvizjen Demokratike –
Këtë më së miri e dëshmojnë pamjet dhe fotografitë pothuajse të përditshme që publikohen nga zyrja e zëvendëskryeministrit, Izet Mexhiti, ku njofton aderimet pa numër që bëhen në adresë të Lëvizjes Demokratike. Flasim për qytetarët të cilët më kanë hequr dilemat se nga duhet të rreshtohen.
Gjatë zgjedhjeve, por edhe nga fillimi i idesë së Mexhitit për reforma ka pasur numër të madh njerëzish që kanë ndarë këtë mendim. Por, nga frika e ndëshkimit nga BDI e cila kishte krijuar përshtypjen se janë të pathyeshëm nga pushteti, shumë të punësuar, shumë anëtarë, kanë hezituar që publikisht të paraqesin bindjet e tyre politike.
Lëvizja Demokratike shënon rritje të hovshme –
Izet Mexhiti ideatori i ndryshimit përbrenda BDI-së përfundoi në themelimin e partisë së tij. Ai u përjashtua nga BDI sepse në atë parti nuk e duronin dot frymën e kërkesën për ndryshim u shkonin. Në fillim këtë idenë e reformave të brendshme e nisi bashkë me miqt e tij, një pjesë e të cilëve e lanë në gjysmë të rrugëtimit, e njëri prej tyre iu rikthye sërish pasi fitoi Mexhiti.
Kjo nënkupton që vendosmëria e Mexhitit për ta bërë ndryshimin në kampin shqiptarë nuk përfundoi me përjashtimin e tij prej partisë, pikërisht këtu filloi. Ai themeloi partinë të cilës po i prinë vetë ai, Lëvizjen Demokratike, e cila akoma në fillimet e para është bërë dera kryesore në të cilën po trokasin njerëzit e dëshpëruar nga partitë ku kanë qenë aktiv, njerëzit të cilët kanë qenë të pa përcaktuar në ndonjë parti e shumë të tjerë.
Aderime pa numër, anëtarësime të shumta, numër i madh të rinjve të gjithë janë rreshtuar pas Izet Mexhitit, sepse besuan fuqishëm në idenë e tij që jetësoi shumë shpejt në praktik. E kjo ndodhi përshkak se Mexhiti nuk u dorëzua dhe në ndihmë të tij i dolën ata që atij i besuan dhe në fund rezultoi se nuk u dëshpëruan. Përkundrazi, ata që nuk i besuan në fillim tani kanë filluar t’i bashkangjiten masivisht në vazhdimësi. /Zhurnal.mk