Lajçak: Zgjerimi prioritet në BE, Ballkani Perëndimor ta shfrytëzojë këtë moment

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, kur tha të martën se BE-ja do të jetë e gatshme për zgjerim deri në vitin 2030, e tha këtë nga pozita zyrtare.

Lajçak ka thënë se duhet shfrytëzuar ky moment nga shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Kjo ishte deklaratë formale në emër të BE-së. Ai tha se BE-ja do të jetë e gatshme deri në vitin 2030. Nëse ju Ballkani Perëndimor jeni të gatshëm deri në vitin 2030, atëherë ne BE-ja jemi të gatshëm. Është gjë e madhe, nuk e kemi pasur një moment të tillë. Për mua, që punoj me rajonin për 20 vjet, nuk mbaj në mend të kemi pasur një BE që është më e gatshme për Ballkanin sesa Ballkani për BE-në”, tha Lajçak në Forumin Strategjik të Bledit.

Lajçak ka thënë se ky moment nuk do të zgjasë përgjithmonë.

“Ka momente kur BE-ja merret me çështje më të mëdha, si kriza financiare, BREXIT, migrimi dhe atëherë zgjerimi mund të mos jetë prioritet. Por tash zgjerimi është prioritet. Mesazhi për rajonin është i qartë, të mos humbet kjo mundësi. Ka pasur një ndjenjë vetëkënaqësie se rajoni mund të presë e duhet rregulluar gjërat brenda BE-së e pastaj të merremi me Ballkanin Perëndimor. Ishte thellësisht e gabuar. Janë çështjet tonat dhe tuajat njëkohësisht”, tha Lajçak.

Ai shtoi se nëse “nëse një gjë e mirë ka dalë nga lufta e tmerrshme në Ukrainë, atëherë është ky zgjim”.

“Ishte një lloj thirrje alarmuese, se kemi punë të pakryera, duhet të jemi serioz për rajonin e se mund ta humbim rajonin. Mund të thuhet se viti i kaluar ishte shumë i suksesshëm për integrimin e zgjerimin. Bosnja mori statusin e kandidatit, edhe Maqedonia e Veriut e Shqipëria hapën negociatat, Kosova mori liberalizimin. Pse nuk pati kënaqësi në rajon? Pasi ishte vendim i pritur gjatë. BE-ja e ka kapur këtë moment gjeopolitik, por nuk do të zgjasë momenti përgjithmonë. Ta shfrytëzojmë momentin”, ka thënë Lajçak.