Ky aparat fotografik i prodhuar 99 vite më parë është shitur për 14.4 milionë euro dhe është më i shtrenjti në botë

Një prototip Leica që i përkiste personalisht Oskar Barnack – shpikësit të Leica – u shit për 14.4 milionë euro (15 milionë dollarë) në një ankand ditë më parë, duke u bërë kamera më e shtrenjtë në botë.

Sipas mediave të huaja, aparati fotografik është një nga vetëm afërsisht 22 të Leica të serisë 0 që u prodhuan në 1923 për të testuar tregun, dy vjet përpara prezantimit komercial të Leica A.

Ajo është gjithashtu një nga rreth një duzinë që ka mbijetuar deri në ditët e sotme, sipas ankandit Leitz Photographica me bazë në Vjenë, i cili organizoi shitjen.

I specializuar në aparatet fotografike dhe aksesorët historikë, Ankandi Leitz Photographica operon nën ombrellën e Leica Camera Classics, një degë austriake e Leica Camera AG.

“Prandaj ishte një kënaqësi e veçantë për ne që ishim në gjendje të nxjerrim në ankand aparatin fotografik personal të Oskar Barnack, një prototip i gjeneratës që hodhi themelet për fotografinë moderne në mesin e viteve 1920”, citohet të ketë thënë Alexander Sedlak, drejtor menaxhues i Leica Camera Classics në një deklaratë.