Kush e sulmoi gjuhën shqipe dje, kush është kundër sot?

Shkup, 21 mars – Protesta kundër gjuhës shqipe. Retorikë e ashpër kundër gjuhës shqipe. Nuk janë lajme të reja në Maqedoninë e Veriut. Kjo çështje ka histori, por nuk duhet shkuar shumë larg. Më 1997 protestë kundër arsimit në gjuhën shqipe. Kundër gjuhës shqipe, kundër përdorimit të gjuhës shqipe në Fakultetin Pedagogjik në Shkup.

“Për të mbrojtur Kushtetutën”. Një grup studentësh maqedonas, me në krye vmro-istët e flaktë, Filip Petrovski dhe deputeti aktual i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshoski kërkonin dorëheqjen e Ministers Todorova dhe Kryetarit të Lidhjes së studentëve pranë Universitetit “Shën Qirili dhe Metodij”, shkruan Zhurnal.

2022 numerikisht është larg 1997, por politikisht 97 nuk ka numëruar tutje për mendësinë politike të Maqedonisë së Veriut. Me të dalur lajmi se emblemat e policisë do të shënohen në dy gjuhë (shqip dhe maqedonisht) u aktivizua mentaliteti 97-s.

“E Majta” njoftoi se do ta kundërshtonte në Gjykatën Kushtetuese. Por kësaj here, deri më tash mungojnë brohoritjet “Për të mbrojtur Kushtetutën”.

I freskët është edhe qershori i vitit të kaluar, kur Kryeparlamentari Talat Xhaferi foli shqip në Parlamentin Evropian.

Opozita VMRO-DPMNE dhe “E Majta” u zotuan se do ngrejnë kallëzim penal kundër kryeparlamentarit Talat Xhaferi për shkelje të vetëdijshme të Kushtetutës dhe ligjeve. Sipas tyre, Xhaferi me vetëdije e ka shkelur gjuhën maqedonase me fjalimin e tij shqip në Parlamentin Evropian

“VMRO-DPMNE apelon tek organet kompetente dhe institucionet qeveritare që të reagojnë dhe ta dënojnë këtë hap.

Sipas deputetit “E Majta”, Dimitar Apasiev, Xhaferi në mënyrë tendencioze për disa muaj në vazhdimësi bën shkelje të vetëdijshme të gjuhës maqedonase, si në Kuvend ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Apasiev thotë se Xhaferi ka bërë skandal diplomatik duke iu drejtuar Komisionit në Bruksel në gjuhën shqipe dhe përveçse ka shkelur amendamentin 5 të Kushtetutës dhe Ligjin për përdorimin e gjuhës maqedonase, ka kryer edhe vepër penale”

Ai po ashtu kishte reaguar se prej disa muajsh deputetët po i marrin materialet dygjuhëshe, duke theksuar se kjo është në kundërshtim me Rregulloren e punës e cila parasheh që vetëm deputeti që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja duhet t’i marrë materialet në dy gjuhë.

Retorika e njëjtë, “copy paste” edhe sot

Partia “E majta” paralajmëron referendum kundër vendimit të Qeverisë që në uniformat e policisë të qëndrojë edhe gjuha shqipe.

“Ne vlerësojmë se ky vendim i qeverisë është antikushtetues, sipas amandamentit 5, është kundër ligjit për punë të brendshme dhe në këtë mënyrë në planifikojmë që të reagojmë me ankesë deri të Gjykata Kushtetuese. Do ta shohim edhe mundësinë për padi penale dhe ndoshta mund ta hapim mundësinë për të bërë referendum”, tha Borisllav Krmov nga “E majta”.

Në po të njëjtën linj, por me një fjalor tjetër është shprehur edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

“Kovaçevski mund të bëjë edhe një tatuazh në ballë në dy gjuhë, tre ose katër, kjo nuk më habit. Do të habitesha nëse sjellin fabrika të reja, hapin vende të reja pune, të kenë rritje ekonomike, të kenë më shumë para”, tha lideri i VMRO-DPMNE-së.

Gjuha shqipe ende nuk po zbatohet në tërësi. Qeveria me vendimin e fundit i dha afat Ministrisë së Punëve të Brendshme që për një vit t’i bëjë uniformat në dy gjuhë.

Shqiptarët e pakënaqur me zbatimin ligjit

Në ditën ndërkombëtare të gjuhës amtare profesori universitar, Xheladin Murati vlerësoi se edhe pse kemi Ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, sërish gjuha shqipe nuk është zyrtare dhe se përdorimi i të njëjtës në rrugë zyrtare, bëhet “sipas qejfit”.

“Gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Gjuha shqipe është në përdorim zyrtar sipas qejfit – kush do e përdorë. Gjuha shqipe nuk ekziston në Kushtetutën e RMV-së, ekziston si gjuhë e 20%. Së treti shqiptarët nuk janë popull shtet formues të shtetit të Maqedonisë, i cili status e zgjedh edhe çështjen e gjuhës. Koncepti i përdorimit zyrtarë të gjuhës shqipe nuk është i përsosur sepse nenet përbërëse të ligjit janë të papërsosura dhe jo koncize”, tha Murati./Zhurnal