Kurti: Bordi i ri i AKP-së do të auditojë të gjitha vendimet e bordeve paraprake

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se me bordin e ri të Agjencisë Kosovare të Privatizimi (AKP) synojnë të bëjnë një auditim të thellë të këtij institucioni dhe vendimeve të bordeve paraprake.

Para deputetëve, Kurti tha se ky do të jetë bordi i fundit i AKP-së që do t’i hap rrugë Fondit Sovran, Agjencisë dhe Bankës Zhvillimore.

“Ky do të jetë bordi i fundit i AKP-së në mënyrë që të hapim një etapë zhvillimore për Kosovën drejtë Fondit Sovran, Agjencisë dhe Bankës Zhvillimore. Nga bordi i ri presim që pas votimit në Kuvend të marrë masat për të ndaluar proceset që ne si qeveri i kemi paraprijë për ndaljen e tyre. Me bordin e ri synojmë një auditim të gjerë dhe thellë në AKP dhe të vendimeve të ish-bordeve të AKP-së”, tha ai.

Duke prezantuar bordin e ri, Kurti kritikoi të kaluarën e menaxhimit të AKP-së dhe tha që kjo do të ndryshojë me qeverisjen e tij.

“Privatizimi i egër u bë në një kohë kur Kosova e porsa dal nga lufta nuk e kishte rimëkëmbur ekonominë. Funksionimi i AKP-së ka mbledhur para nga privatizimi i pronave, por merrni me mend i ka mbuluar shpenzimet operative me to. Aty janë pagat më të larta në Kosovë dhe shpenzohen pa masë. Kjo mënyrë e buxhetit të AKP-së duhet të ndryshohet menjëherë, kompensimet e larta të paarsyeshme, mëditje nga 2000 dhe 3000 euro për një mbledhje të mbajtur. Paramendoni sikur ATK-ja dhe Dogana paratë e mbledhura t’i kishin shpenzuar për shpenzime operative, ashtu ka vepruar AKP. Mandej, pse të privatizohen objektet publike përderisa jemi duke shpenzuar qindra mijëra euro për qiratë e institucioneve”, tha ai.

Emrat e kandidatëve për anëtarë të Bordit të AKP-së që do t’i propozohen Kuvendit janë: Nazmi Mikollovci, Suzana Dautaj-Surdulli, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muqolli dhe Avni Ajdini.