Kryeprokurori kritikon Kodin e ri, Çela: I pamjaftueshëm për t’iu përgjigjur sfidave të shoqërisë
Prokurori i përgjithshëm Olsian Çela vijon të kritikojë draftin e Kodit të ri Penal, duke u shprehur i pakënaqur për mënyrën si është konceptuar ky projekt dhe duke e konsideruar të nxituar dhe të pambështetur në një analizë të thelluar të problematikave ekzistuese.
“Duhet të kuptojmë pse ky kod që kemi është i pamjaftueshëm për t’iu përgjigjur sfidave që ka shoqëria”, tha Çela.
Në vlerësimin e tij, disa prej ndryshimeve të sugjeruara janë jo vetëm të paqarta, por edhe potencialisht të dëmshme për ecurinë e sistemit.
“Në momentin që po kalon sistemi i drejtësisë ku mbingarkesa është një nga çështjet kryesore, aplikimi i një Kodi të Ri penal do të thotë një rivlerësim të secilës çështje që është në gjykim, ose hetim në prizmin e Kodit të ri, i cili mund të ketë fuqi prapavepruese”, tha Çela.
Ai kritikoi faktin se institucioni i Prokurorisë është lënë jashtë grupit të punës që hartoi projektin./vizionplus.tv

