Kryeministrja finlandeze: Fitorja e Rusisë në Ukrainë do të fuqizonte agresorët

Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, ka paralajmëruar audiencën australiane të premten se fitorja e Rusisë në Ukrainë mund të fuqizojë agresorët tjerë, dhe u ka bërë thirrje demokracive kundër krijimit të varësisë ndaj shteteve autoritare sikurse Kina.

Marin i ka bërë këto deklarata në Sidnej në fund të vizitës së parë në Australi dhe Zelandë të Re.

Mundësia e marrëveshjes për tregti të lirë ndërmjet Australisë dhe Bashkimit Evropian, ka qenë po ashtu në agjendë të diskutimit.

Ajo e ka shfrytëzuar fjalimin për t’iu bërë thirrje demokracive që të rrisin sanksionet kundër Rusisë.

“Mos harroni, nëse Rusia e fiton këtë luftë të tmerrshme, nuk do të jetë e vetmja që do të ndihet më e fuqizuar”, ka thënë Marin në institutin ndërkombëtar, Lowy.

“Edhe të tjerët do të tundohen nga një agjendë e tillë e errët”, ka shtuar ajo.