Kryeministri kinez mbajti një konferencë shtypi për gazetarët vendës dhe të huaj

Në mëngjesin e së hënës, pas mbylljes së sesionit të parë të legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, kryeministri i Kinës Li Qiang mbajti një konferencë shtypi për gazetarët vendës dhe të huaj.

Së pari ai theksoi filozofinë e zhvillimit të përqendruar te njerëzit. Ai tha “Qëllimi përfundimtar i punës së partisë dhe qeverisë është të përmirësojë mirëqenien e popullit,” tha Li në një konferencë për shtypin, duke u zotuar të bëjë përpjekje të forta në çdo punë që ka lidhje me jetesën e njerëzve. Shumica e njerëzve nuk i mbajnë gjithë kohën sytë te rritja e PBB-së, por interesohen më shumë për gjërat që ndodhin në jetën e përditshme, si strehimi, punësimi, të ardhurat, arsimimi, shërbimet mjekësore dhe mjedisi, tha Li. “Prandaj, qeveria duhet gjithmonë ta planifikojë dhe ta kryejë punën e saj sipas asaj se çfarë ndiejnë njerëzit, dhe të veprojë në përputhje me aspiratat e popullit,” shtoi ai.

Lidhur me hapjen e Kinës ai tha se ky vit shënon 45-vjetorin e Reformës dhe Hapjes së Kinës. “Sipas informacionit që kam, shumica dërrmuese e ndërmarrjeve të financuara nga jashtë janë ende optimiste për perspektivat e tyre të zhvillimit në Kinë. Vitin e kaluar, përdorimi real i investimeve të huaja nga Kina arriti një vlerë prej më shumë se 189 miliardë dollarësh, duke shënuar rekord të ri. Krahasuar me të dhënat para epidemisë, pra tre vjet më parë, kemi një rritje prej afro 50 miliardë dollarësh, gjë që tregon se Kina është ende zgjidhja më e mirë për investimet globale. Hapja ndaj botës së jashtme është politika bazë kombëtare e Kinës, dhe pavarësisht se si do të ndryshojë situata e jashtme, Kina do të ecë përpara pa lëkundje”, tha kryeministri.

Li Qiang vuri në dukje se disa njerëz në Shtetet e Bashkuara kanë trumbetuar teorinë e shkëputjes midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në vitet e fundit, por nuk dihet se sa njerëz kanë përfituar vërtet nga kjo zhurmë.

Sipas statistikave kineze, vjet vëllimi i tregtisë midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara arriti në afro 760 miliardë dollarë, duke vendosur një rekord të ri.  “Ekonomia kineze e ajo amerikane janë të lidhura shumë ngushtë e të dy vendet përfitojnë nga zhvillimi i njëri-tjetrit,” tha Li Qiang.

Ka më shumë se 70 000 ndërmarrje me financim të huaj në Shangai, vuri në ai, duke thënë që, kur punonte në Shangai, ai pati shumë mundësi për të komunikuar me drejtues të kompanive të huaja, duke përfshirë edhe ato amerikane. “Të gjithë më thanë se janë optimistë për Shangain e Kinën dhe se bota duhet të bashkëpunojë. Të gjithë besojnë se bashkëpunimi është me përfitime të ndërsjella,” tha Li Qiang. Sipas tij, të gjitha këto tregojnë se Kina dhe Shtetet e Bashkuara mund të bashkëpunojnë dhe duhet të bashkëpunojnë.

Gjatë konferencës së shtypit, kryeministri Li Qiang ka ritheksuar edhe mbështetjen e qeverisë qendrore për Hong-kong dhe Makao.