Kryeministri i Japonisë reformon kabinetin e tij pas një skandali fondesh

Kryeministri japonez Fumio Kishida të enjten shkarkoi nga kabineti i tij një grup ministrash që i përkisnin fraksionit më të madh të partisë në pushtet, raporton Anadolu.
Shkarkimi i katër ministrave erdhi mes një skandali të financave politike që ka shkaktuar zemërim të gjerë dhe i cili e ka zbehur besimin e qytetarëve në qeverinë në nivelin më të ulët që kur e mori detyrën në tetor 2021.
Prokurorët japonezë po hetojnë një kallëzim penal që akuzon pesë fraksione të partisë në pushtet për mosparaqitje të të ardhurave të arritura gjatë pesë viteve deri në fund të vitit 2022 përmes organizimeve për mbledhjen e fondeve. Prokurorët tashmë kanë nisur bastisjet në shtëpitë dhe zyrat e përfaqësuesve.
Midis zyrtarëve të larguar nga detyra janë sekretari i parë i kabinetit Hirokazu Matsuno, ministri i Ekonomisë Yasutoshi Nishimura, ministri i Bujqësisë Ichiro Miyashita dhe ministri i Punëve të Brendshme Junji Suzuki.
Gjithashtu, pesë zëvendësministra dhe një këshilltar i zëvendësministrit u larguan nga postet e tyre.
Të gjithë ata i përkasin fraksionit më të madh të Partisë Liberale Demokratike në pushtet, fraksion ky që dikur drejtohej nga ish-kryeministri Shinzo Abe, i cili u vra në një atentat vitin e kaluar.
Matsuno dyshohet se nuk ka paraqitur rreth 70 mijë dollarë të ardhura të arritura nga ngjarjet e grumbullimit të fondeve.
Polemika përqendrohet rreth shumë ligjvënësve të partisë në pushtet që pretendohet se nuk kanë paraqitur të ardhurat e gjeneruara nga fushata zgjedhore.
Hapi i fundit i Kishidas është pjesë e përpjekjeve të tij, ndërsa ai emëron fytyra të reja në kabinetin e tij, për të rritur besimin e publikut në qeveri.