Kovaçevski: Në fund të javës së ardhshme procedura për Qeverinë teknike, në LSDM ka filluar propozimi i kandidatëve për president dhe deputetë

Shkup, 16 janar – Në fund të javës së ardhshme, në përputhje me afatet ligjore, do të zhvillohet procedura për zgjedhjen e qeverisë teknike, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski i pyetur se kur do ta parashtrojë dorëheqjen duke pasur parasysh se qeveria teknike duhet të formohet për dhjetë ditë.
Bëri të ditur se për afatet ligjore për parashtrimin e dorëheqjeve, zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit dhe për zgjedhjen e qeverisë teknike mëngjesin e sotëm në takim ka biseduar me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi, i cili duhet 100 ditë para zgjedhjeve të jetë kryeministër teknik, dhe me koordinatorin e grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitrevski, i cili është kandidat për kryetar të Kuvendit derisa të jetë qeveria teknike.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve gjatë vizitës në Komunën e Shuto Orizarës, Kovaçevski tha se në LSDM ka filluar procedura për propozimin e kandidatëve të mundshëm për president të shtetit dhe për deputetë.
“Është e paraparë me statut dhe sapo të përfundojë do të mund të ndahen emrat me organet më të larta të partisë. Fillimisht shkon te organizatat lokale, pastaj te organizatat komunale dhe pastaj vjen Këshilli Ekzekutiv dhe Qendror. Deri atëherë emrat nuk komentohen sepse ka një gamë më të gjerë të emrave. Ka pasur një shkrim në media për emrat e mundshëm, emrat eminentë, të cilët janë biseduar në këto takime”, tha Kovaçevski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve gjatë vizitës në Shuto Orizarë me rastin e ndërtimit të Qendrës së Parë Burimore Komunale për të kthyerit dhe kategorive të tjera të cenueshme të qytetarëve.
Kryeministri konfirmoi se ka komunikim me liderin e VMRO-DPMNE opozitare, Hristijan Mickoski, ndërsa në pyetjen nëse do të ketë takim të liderëve, u përgjigj se nuk duhet të gjitha takimet të jenë “në salla për takime” dhe se “shumë gjëra munden edhe me telefon të përfundojnë”.
“Kemi komunikim. Ne jemi njerëz që njihemi, kemi miq të përbashkët, udhëheqim dy parti politike që janë më të mëdhatë në shtet dhe konsideroj se ka punë që mund të bëhen në atë mënyrë, ndërsa të cilat janë të natyrës teknike – propozim të ministrave në qeverinë teknike, duke rënë dakord për terminet të cilat gjithashtu janë të përcaktuara me ligj”, shtoi Kovaçevski.