Kovaçevski: Bllokimi i VMRO-DPMNE-së në Kuvend, për arsye politike

Shkup, 16 maj – Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha sot se Kuvendin po e bllokon vetëm VMRO-DPMNE, e jo gjithë opozita dhe se këtë e bën për arsye politike, “për të siguruar disa pozita brendapartiake”.

Kovaçevski tha se deputetët duhet të jenë në nivelin e përgjegjësisë që kanë para qytetarëve sepse në Kuvend, veçanërisht tani, tha ai, duhet të miratohen ligje shumë të rëndësishme.

Parlamenti, theksoi Kovaçevski, është vend ku duhet të kultivohet demokracia dhe të diskutohet, e jo të përdoret për bllokim dhe bojkot, sepse askujt nuk i sjell asgjë të mirë.

“Qasja e VMRO-DPMNE-së, deri më tani thoja opozitës, por është e qartë se nuk është opozita, por bëhet fjalë vetëm për VMRO-DPMNE-në, sepse shohim parti të tjera politike që kanë qasje më të përgjegjshme sesa ajo, opozita, se këtë e bëjnë thjesht për arsye politike personale, për të siguruar disa pozicione brenda vetë partisë. U bëj thirrje edhe një herë të gjithë deputetëve në Kuvend që të jenë në nivelin e përgjegjësisë që kanë jo para partisë, por para qytetarëve, duke qenë se Kuvendi duhet të punojë për miratimin e ligjeve që nënkuptojnë përmirësimin e standardit, ruajtjen e standardit të qytetarëve, por edhe për ofrimin e kushteve më të mira për kompanitë në këtë kohë krize”, tha Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me paralajmërimet e VMRO-DPMNE-së se do t’i intensifikojë bllokadat dhe se mund të dalë në rrugë.

Ai po ashtu rikujtoi se tashmë e ka shprehur qëndrimin e tij për bllokadën e VMRO-DPMNE-së.

“Tashmë kam dhënë disa deklarata në lidhje me këtë qasje. Mendoj se është absolutisht e gabuar në një krizë të tillë. Shihni deklaratat e të gjithë liderëve në Evropë, por edhe të të gjithë liderëve në fqinjësi, se kjo është një periudhë jashtëzakonisht kritike. Dimër jashtëzakonisht i ashpër na pret dhe Qeveria po punon për të siguruar gjithçka që është e nevojshme që goditjet e çmimeve të jenë sa më të vogla dhe për të siguruar energji që do të mundësojë furnizim të pandërprerë të amvisërive, por edhe furnizim të pandërprerë të industrisë. Në përgatitje është edhe ribalanci i cili parashikon uljen e të gjitha shpenzimeve që nuk duhet të bëhen për të pasur mjete për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve dhe për të mbështetur kompanitë që tashmë kanë filluar të realizohen përmes Bankës për Zhvillim”, sqaroi kryeministri.

Sipas tij, Kuvendi është vend ku përfaqësohen të gjitha partitë politike.

“Kuvendi është vend ku ka komisione për të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe ekonomike ku të gjitha zgjidhjet ligjore mund të diskutohen në mënyrën më demokratike, mund të promovohenë gjitha zgjidhjet ligjore dhe gjithashtu Kuvendi është vend ku duhet të kultivohet demokracia, ku saktësisht duhet të diskutohet ajo që thashë, e të mos përdoret për bllokim dhe bojkot, sepse askujt nuk i sjell asgjë të mirë”, theksoi Kovaçevski.