Kosovë/ Një muaj paraburgim për babanë që tentoi ta vrasë djalin e tij

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga gjykata kompetente në Gjakovë ndaj të pandehurit L.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Përdorimi i armës ose mjetit të rrezikshëm”.
Sipas Prokurorisë, më 6 gushtë të këtij viti, në afërsi të shtëpisë së tyre të përbashkët në Rahovec, i pandehuri L.G., nën ndikimin e alkoolit , me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta djalin e tij, të dëmtuarin A.G.
“I njëjti së pari kërkon që djali i tij të largohet nga shtëpia e më pastaj e nxjerr armën nga brezi, duke shtënë dy herë në drejtim të tij, por nuk arrin ta qëllojë, sepse i dëmtuari largohet me shpejtësi. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale ‘Vrasje në tentativë’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Po ashtu i dyshuari më datën e kohën e njëjtë përdor armën në kundërshtim me ligjin e Kosovës. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës ose mjetit të rrezikshëm”.
Prokurori i rastit ndaj të pandehurit ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, e cila është aprovuar nga gjykata kompetente. /Zëri