Kosovë/ Bashkësia Islame tregon masat e reja antiKovid-19

Nga sot kryerja e riteve fetare me xhemat në objektet fetare nga sot do bëhet në përputhje të plotë me manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID -19, ka njoftuar Bashkësia Islame e Kosovës.

“Vendosja e maskës,bajtja e distancës fizike, pastrimi dhe dezinfektimi i duarve gjatë hyrjes dhe daljes nga xhamia, ajrosja e ambienteve të xhamisë pas çdo namazi, dezinfektimi i hapësirave të xhamisë dhe objekteve tjera përcjellëse, shenjëzimi i vendfaljeve duke respektuar distancën, hapësira e brendshme e xhamisë të pranojë numër minimal të xhematit, derisa mund të shfrytëzohet hapësira e jashtme e xhamisë/oborri për faljen e namazeve të rregullta ditore”, janë masat e reja mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

BIK-u ka bërë të ditur se janë pezulluar tubimet e të gjitha llojeve të veprimtarisë fetare në xhami (përveç namazeve të rregullta ditore), mbajtja e mësim besimit në xhami, ligjërata e xhumasë të jetë sa më e shkurtër dhe përmbledhëse (5 – 7 minuta).

“Në rastet e varrimeve, imami i ngarkuar me detyrë, obligohet të marrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e vetes dhe të tjerëve nga infektimi me koronavirus, duke respektuar rekomandimet dhe njëkohësisht duke apeluar te pjesmarrësit (familja e ngushtë e të vdekurit) për respektim të masave anticovid (bartja e maskës, pastrimi dhe dezinfektimi i duarve, mbajtja e distancës etj.) Pezullohen të pamet dhe pritjet për ngushëllime në rastet e vdekjes, në odat për të pame apo objektet tjera përcjellëse në kuadër të xhamisë. Në komunat ku ka vetëm një xhami në qytet, si dhe në ato komuna ku numri i pjesmarrësve në xhami është i madh, xhumaja të falet dy ose tre herë në kohë të ndryshme (brenda orarit të saj ligjor)”, ka njoftuar BIK-u në faqen e tyre zyrtare.

Nga sot në Kosovë kthehet ora policore për të gjithë qytetarët që fillon prej orës 22:00 deri në ora 05:00. /21Media